Në Kuvend u debatua për zgjerimin e BE-së, kërkohet ruajtja e momentit për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Nga B.M
492 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Në Kuvend u mbajt debat për dimensionin gjeopolitik të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe implikimet për Ballkanin Perëndimor, ku u theksua nevoja për ruajtjen e momentit të zgjerimit dhe përshpejtimin e integrimit të rajonit në strukturat evropiane, raporton Zhurnal.mk.

Sipas diskutimeve në panel, kancelari gjerman Friedrich Merz, përmes një letre drejtuar liderëve evropianë, ka propozuar që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet status vëzhguesi me privilegje, si dhe pjesëmarrje në takimet e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian që kanë të bëjnë me rajonin.

Po ashtu, është kërkuar hapja e menjëhershme dhe pa kushte e të gjithë kapitujve negociues, si dhe integrimi gradual i rajonit në tregun e përbashkët evropian, në bashkëpunim me Italinë, Slloveninë, Sllovakinë, Çekinë dhe Austrinë.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski, theksoi se këto propozime nuk janë zëvendësim për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe, paralajmëroi se nuk duhet të humbet momentumi i zgjerimit, pasi në të kundërtën vendi mund të mbetet jashtë planifikimit të buxhetit të ardhshëm evropian.

Ai bëri thirrje që të realizohen ndryshimet kushtetuese si pjesë e procesit integrues.

Zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, deklaroi se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se di të marrë vendime të vështira për arritjen e objektivave strategjike, por shtoi se edhe Bashkimi Evropian duhet të përmbushë obligimet ndaj vendeve aspirante.

Në debat mori pjesë edhe eksperti dhe ish-kryenegociatori kroat për anëtarësim në BE, Vladimir Drobnjak, i cili vlerësoi se Bashkimi Evropian pritet të ketë zgjerim të ri deri në vitin 2030, por paraprakisht duhet të përgatitet institucionalisht për pranimin e anëtarëve të rinj.

Pjesëmarrësit në debat vlerësuan se në kohën e sfidave të mëdha globale, zgjerimi i Bashkimit Evropian po merr rëndësi të veçantë gjeostrategjike për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.//Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër