Kallëzim penal ndaj kryetarit të Vrapçishtit Isen Shabani, për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gostivar kundër kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.

Sipas njoftimit të Policisë Financiare, Shabani gjatë vitit 2025 ka lidhur kontratë për rikonstruksionin e një rruge lokale në fshatin Dobërdoll, edhe pse për procedurën e furnizimit publik kishte ankesë aktive dhe ende nuk ishte marrë vendim përfundimtar nga Komisioni Shtetëror për Ankesa në Furnizime Publike.

Autoritetet bëjnë të ditur se më pas Komisioni e kishte anuluar vendimin për zgjedhjen e kompanisë fituese, por pavarësisht kësaj, kryetari kishte realizuar pagesë në vlerë prej 11 milionë e 848 mijë e 675 denarësh ndaj kompanisë së përzgjedhur.

Sipas Policisë Financiare, me këto veprime kompanisë i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm pasuror në vlerën e shumës së paguar.

Rasti është dorëzuar në procedurë të mëtejshme në Prokurorinë Themelore në Gostivar, e cila pritet të veprojë lidhur me kallëzimin penal.

artikuj të ndërlidhura