Kallas: Marrëveshja BE-Meksikë është deklaratë gjeopolitike

Nga D. V.
245 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Meksiko, 22, maj Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian dhe Meksika synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre, veçanërisht në kushtet e krizave të shumta globale, përmes samitit të parë dypalësh mes tyre në 10 vitet e fundit.

BE-ja dhe Meksika pritet të nënshkruajnë sot versionin e modernizuar të marrëveshjes së tregtisë dhe bashkëpunimit të vitit 2000, pas një dekade negociatash.

Marrëveshja synon të ulë më tej tarifat dhe barrierat tregtare, si dhe të përditësojë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh.

“Kjo është më shumë sesa thjesht një tregti. Është një deklaratë gjeopolitike”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, në Meksiko Siti, pas takimit dje me ministrin e Jashtëm të Meksikës, Roberto Velasco..

Velasco e cilësoi këtë si fillimin e një faze të re në marrëdhëniet dypalëshe, në sfondin e sfidave të mëdha globale.

“Edhe pse Evropa dhe Meksika nuk mund t’i japin fund pasigurisë globale … së bashku mund të reduktojmë ndikimin e saj dhe të formësojmë të ardhmen tonë”, tha Kallas.

Sipas saj, kjo dërgon një mesazh të qartë, se të dyja palët janë partnerë të besueshëm.

Meksika, vendi me popullsinë më të madhe spanjishtfolëse në botë me rreth 130 milionë banorë, po bëhet një partner tregtar gjithnjë e më i rëndësishëm për BE-në.

Nga ana tjetër, BE-ja është tregu i dytë më i madh i eksporteve për Meksikën pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vëllimi vjetor i tregtisë mes dy palëve arrin në rreth 100 miliardë dollarë.

Rreth 80% e eksporteve meksikane shkojnë drejt SHBA-së, ekonomia e së cilës është bërë më proteksioniste nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, përmes vendosjes së tarifave doganore.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, do të udhëtojnë gjithashtu drejt Meksiko Siti për nënshkrimin e marrëveshjes së re.

Ata do të zhvillojnë edhe një takim me presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, gjatë samitit dypalësh, ku liderët pritet të diskutojnë thellimin e bashkëpunimit.

Përveç tregtisë, marrëveshja globale përfshin edhe çështje si ndryshimet klimatike, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër