Eurogrupi: Ekonomia evropiane varet nga zgjatja e luftës në Iran

Nga D. V.
398 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nikozia, 22 maj, Zhurnal.mk – Kriza ekonomike në Evropë do të thellohet nëse lufta në Iran vazhdon të zgjatet, dhe Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, tha sot presidenti i Eurogrupit, Kyriakos Pierrakakis, gjatë diskutimeve të nivelit të lartë në Qipro.

“Ekziston një “kuptim i qartë” se nëse ngushtica nuk rihapet së shpejti, qershori do të jetë më i keq se maji, korriku më i keq se qershori”, tha Pierrakakis në takimin me ministrat e Financave të Eurogrupit në kryeqytetin qipriot, Nikozia.

“Po e ndjekim nga afër situatën”, shtoi ai.

“Ministrat e Financave të Evropës po përpiqen, nga njëra anë të balancojnë nevojën, për të mbështetur qytetarët tanë, shoqëritë tona, më të cenuarit, ndërsa nga ana tjetër të sigurojnë që, kjo krizë energjetike të mos shndërrohet në një krizë fiskale”, tha Pierrakakis në një konferencë për shtyp.

Çmimet e naftës bruto janë rritur ndjeshëm që kur Ngushtica e Hormuzit, një rrugë jetike për tregtinë globale, u bllokua pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që filluan më 28 shkurt.

Çmimet e larta të energjisë po vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi bizneset dhe konsumatorët në Evropë.

Sipas Pierrakakis, ekziston presion stagflacionist, por Evropa mbetet e qëndrueshme dhe ka nisur tashmë reagimin ndaj krizës.

Stagflacioni i referohet një rënieje ekonomike të shoqëruar me rritje të ndjeshme të çmimeve.

Në parashikimin e tij ekonomik të publikuar dje, Komisioni Evropian uli parashikimin e rritjes ekonomike nga 1,4% në 1,1%.

Për 21 vendet e eurozonës, parashikimi u reduktua në 0,9%, ndërsa për Gjermaninë, ekonominë më të madhe të Evropës, parashikohet rritje prej vetëm 0,6% për këtë vit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër