Shëngjin, 23 maj Zhurnal.mk – Një zjarr i rëndë i rënë në kanalin e kabllave pranë zonës së Kënetës në Shëngjin ka shkaktuar dëmtimin e fidrit 17, një prej dy linjave kryesore që furnizojnë me energji elektrike qytetin e Shëngjinit dhe zonën e Ranës së Hedhun.
Për pasojë, një pjesë e abonentëve mbetën për një periudhë të shkurtër kohe pa energji elektrike, ndërsa grupet e OSHEE-së ndërhynë menjëherë për normalizimin e situatës.
Burime nga terreni bëjnë me dije se furnizimi u kalua në linjë alternative, duke bërë të mundur rikthimin e energjisë për të gjithë konsumatorët. Aktualisht, abonentët po furnizohen përmes fidrit 18, ndërsa në zonë vijon puna intensive për riparimin e dëmeve dhe rivendosjen në funksion të plotë të fidrit të dëmtuar.
Sipas specialistëve, ndërhyrja po kryhet me ritme të shpejta dhe pritet që brenda pak orësh edhe fidri 17 të rikthehet plotësisht në punë, duke stabilizuar përfundimisht furnizimin me energji elektrike në të gjithë zonën.
