Athinë, 27 maj, Zhurnal.mk – Ish-kryeministri grek dhe ish-lideri i partisë SYRIZA, Alexis Tsipras, prezantoi dje në mbrëmje, në Athinë, formacionin e tij të ri politik me emrin “ELAS”, gjatë një aktiviteti publik të zhvilluar pranë Akropolit, raportoi AMNA.
Sipas deklaratave, emërtimi ELAS përfaqëson “Koalicionin e Majtë Grek”, ndërsa shpallja e partisë së re, u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga qindra mbështetës të pranishëm.
Në fjalimin e tij inaugurues, Tsipras theksoi nevojën për “më shumë ndershmëri dhe demokraci” në jetën politike të vendit dhe u bëri thirrje qytetarëve në Greqi dhe diasporës greke që të mbështesin nismën duke nënshkruar kartën themeluese të partisë.
Me Akropolin si sfond simbolik të aktivitetit, lideri i ELAS, prezantoi shtatë angazhimet kryesore të programit themelues të partisë.
Pika e parë lidhet me garantimin e një “jete me dinjitet” për qytetarët.
Angazhimi i dytë parashikon forcimin e demokracisë, transparencës dhe kontrollit institucional në të gjitha nivelet e pushtetit dhe administrimit të fondeve publike.
Në planin ekonomik, Tsipras premtoi një model të ri zhvillimi, me fokus në prodhimin bujqësor dhe industrinë prodhuese, duke theksuar nevojën për “rritje të drejtë ekonomike dhe dinjitet social”.
Programi i ELAS përfshin gjithashtu forcimin e shtetit social dhe mbrojtjen e të drejtave në shëndetësi, arsim, strehim, mbrojtje sociale dhe kulturë, duke kundërshtuar, sipas tij, “privilegjet për pakicën”.
Në fushën e sigurisë dhe krizave globale, Tsipras deklaroi se partia synon një Greqi më të qëndrueshme, përballë pasigurisë energjetike dhe pasojave të ndryshimeve klimatike.
Një tjetër shtyllë e programit lidhet me “demokracinë dhe sovranitetin digjital”, përmes krijimit të infrastrukturës kombëtare teknologjike me klauzola sovraniteti.
Në politikën e jashtme, ELAS synon ndërtimin e një “Greqie të fuqishme që mbron të drejtat e saj dhe ndërton ura paqeje”, duke promovuar rikthimin në një politikë të jashtme shumëdimensionale dhe aktive.
Gjatë fjalës së tij, Tsipras deklaroi se shpallja e re politike përfaqëson fillimin e “një përpjekjeje të re kolektive për krijimin e një koalicioni të madh progresist”, që bashkon tri rryma historike të kampit progresist: të majtën radikale, socialdemokracinë dhe ekologjinë politike.
Megjithëse deputetët e SYRIZA dhe të Nea Aristera nuk morën pjesë në aktivitet, me synimin për të shmangur lidhjen direkte të partisë së re me formacionet ekzistuese, në tubim ishin të pranishëm disa funksionarë të nivelit të mesëm dhe bashkëpunëtorë parlamentarë nga të dyja partitë.
Sipas raportimeve nga aktiviteti, pjesëmarrësit përfaqësonin grupmosha të ndryshme, ku dominonin mbështetës të moshës së mesme dhe të tretë, ndërsa nuk mungonin edhe të rinjtë.
