Stokholm, 28 maj, Zhurnal.mk – Suedia do t’i shesë Ukrainës deri në 20 avionë luftarakë “Gripen E/F” të financuar nga fondet europiane, si dhe do t’i dhurojë 16 avionë të tjerë të modelit më të vjetër” Gripen C/D” për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore, njoftoi qeveria suedeze.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, deklaroi gjatë një konference për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se avionët e parë “Gripen C/D” pritet të dorëzohen vitin e ardhshëm, ndërsa modeli më i ri “Gripen E/F”do të nisë të dorëzohet nga viti 2030.
Sipas deklaratës suedeze, Ukraina planifikon një financim prej 2,5 miliardë eurosh për blerjen e avionëve luftarakë të prodhuar nga kompania suedeze “Saab”.
“Ky është një vendim historik për Suedinë, që forcon ndjeshëm mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, tha Kristersson.
Të dy vendet kishin nënshkruar në tetor 2025 një letër synimi që parashikonte blerjen nga Kievi të 100 deri në 150 avionëve “Gripen E”.
“Shpresojmë të jemi në gjendje të sigurojmë financimin për të gjithë flotën prej 150 avionësh”, deklaroi Zelensky.
Suedia kishte pezulluar në vitin 2024 planet për dërgimin e avionëve luftarakë në Ukrainë, pasi vendet partnere kërkuan që prioritet t’u jepej avionëve amerikanë “F-16”.
Suedia mbetet një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës dhe, sipas vlerësimeve të muajit shkurt, ndihma ushtarake suedeze që nga fillimi i pushtimit rus arrin në 103 miliardë korona suedeze, ose rreth 9,5 miliardë euro.
