Shkup, 28 maj, Zhurnal.mk – Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, njoftoi se ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Republikës së Sllovakisë në Maqedoninë e Veriut, Iveta Hricová, ku fokusi i bisedës ishte situata politike në vend, Marrëveshja e Ohrit dhe proceset integruese evropiane.
“Sot pata kënaqësinë të takoj Ambasadoren e Republikës së Sllovakisë në Maqedoninë e Veriut, SH.S. Iveta Hricová”, shkroi Ahmeti, duke theksuar se gjatë takimit ka ndarë shqetësimin e tij për, siç u shpreh, “erozionin e paprecedentë të Marrëveshjes së Ohrit”.
Sipas Ahmetit, sfidat aktuale tejkalojnë cenimin e frymës së marrëveshjes dhe po prekin themelet e saj. “Sot nuk bëhet më fjalë vetëm për cenim të frymës së saj, por për përpjekje konkrete për zhbërjen e substancës së Marrëveshjes përmes anulimit të ligjeve dhe mekanizmave që garantojnë barazinë dhe karakterin multietnik të shtetit”, deklaroi ai.
Ahmeti paralajmëroi se kthimi prapa në këto procese mund të ketë pasoja më të gjera politike dhe shoqërore. “Çdo kthim prapa nga këto arritje nuk është vetëm rrezik për raportet ndëretnike, por edhe goditje ndaj vetë investimit strategjik të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë në një Maqedoni të Veriut stabile, funksionale dhe evropiane”, tha lideri i BDI-së.
Në takim, sipas Ahmetit, është diskutuar edhe për ndryshimet kushtetuese, të cilat ai i konsideron të domosdoshme për avancimin e agjendës evropiane të vendit.
“Nënvizova rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese, si hap që do ta forconte pozitën evropiane të shtetit dhe përmes saj edhe sigurinë, të drejtat dhe perspektivën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut”, përfundoi Ahmeti.
