Shkup, 29 maj, Zhurnal.mk – Ish-kryetari i Shkupit dhe biznesmeni Trifun Kostovski, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka paralajmëruar formimin e një partie të re politike, përcjell Zhurnal.mk.
Në postimin e tij, Kostovski ka bërë të ditur se partia do të përbëhet nga “anëtarë të moshës madhore pa kufizim moshe”, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që, sipas tij, dëshirojnë që Maqedonia të mbijetojë si shtet me të ardhme për gjeneratat e reja.
“Nuk kërkoj pushtet për vete, por mundësi për vetëdijesim në nivel shtetëror, që Maqedonia të jetë mbi çdo parti”, ka shkruar Kostovski.
Ai thekson se kjo iniciativë nuk është thirrje për përçarje, por për bashkim të të gjithë atyre që e duan Maqedoninë “pa kushte dhe pa përfitime personale”.
Në postim, Kostovski potencon gjithashtu se “e drejta dhe drejtësia duhet të sundojnë në shtet”, duke shtuar se “kur drejtësia është e vdekur, vdes edhe shpresa”.
Siç ka njoftuar ai, kjo është një pjesë nga kolumna e tij e nesërme me titull “Maqedonia në udhëkryq – është koha ta kthejmë shtetin”, në të cilën pritet të shpalosë më gjerësisht vizionin e tij politik dhe idenë për subjektin e ri politik.
