Do të ketë ndëshkime për ata që kopjojnë gjatë dhënies së maturës shtetërore

Nga Xh M
543 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 maj Zhurnal.mk – Të shtunën e ardhshme fillon dhënia e maturës shtetërore. Maturantët do të duhet të zgjedhin nëse do të japin gjuhë të huaj apo matematikë. Këtë vit risi është se janë vendosur tre lloje mature. Nxënësit e gjimnazeve do të japin maturë shtetërore, ndërsa nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike do të mund të zgjedhin mes maturës shtetërore, profesionale ose artistike, në varësi të programit që kanë ndjekur gjatë arsimit të mesëm.

Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska-Mihajllovska, thotë se testet për të gjitha llojet e maturës tashmë janë të përgatitura. Për shkak të temperaturave të larta të paralajmëruara, këtë vit provimet do të fillojnë në orën 9:00, në vend të orës 10:00 si më parë.

“Dhënia e provimeve këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, do të zhvillohet në institucione të arsimit të lartë, përkatësisht në fakultete, për ato shkolla që kanë deklaruar se nuk kanë kushte të përshtatshme hapësinore. Ndërsa shkollat që kanë hapësira të mjaftueshme, provimet do të mbahen në holle ose në salla sportive,” tha drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska-Mihajllovska.

Gjatë provimeve ndalohet rreptësisht përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike. Nxënësit duhet t’i dorëzojnë ato para fillimit të provimit, ndërsa nga Qendra Shtetërore e Provimeve paralajmërojnë se çdo tentim për kopjim do të ndëshkohet.

“Çdo përdorim i pajisjeve do të sanksionohet, prandaj nxënësit duhet t’i respektojnë rregullat,” shtoi Jovçevska-Mihajllovska.

Këtë vit maturë shtetërore do të japin gjithsej 14.587 kandidatë. Mbi 12 mijë janë të regjistruar për maturën shtetërore, më shumë se dy mijë për maturën profesionale shtetërore, ndërsa 127 kandidatë do të japin maturën artistike shtetërore.

Masat e kontrollit janë forcuar pas rasteve të viteve të kaluara, kur u zbuluan nxënës që kopjonin përmes grupeve në Viber. Në opinion veçanërisht bëri bujë rasti me një grup prej rreth shtatë mijë nxënësish të shkollave të mesme, i formuar para provimit të gjuhës angleze.

Pas këtyre zhvillimeve u vendos rregulli që provimet të mbahen në hapësira të mëdha dhe pa telefona celularë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër