Shekerinska pret në takim ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi

Nga Xh M
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 29 maj Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka zhvilluar një takim në Bruksel me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Šekerinska, ku është diskutuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, angazhimin e Shqipërisë në Aleancë dhe përgatitjet për samitet e ardhshme të NATO-s.

Gjatë takimit, ministri Nufi ka rikonfirmuar përkushtimin e Shqipërisë për të mbetur një faktor konstruktiv në Evropën Juglindore, duke mbështetur paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe angazhimi i Shqipërisë ndaj NATO-s dhe vlerave euroatlantike, si dhe zbatimi i vendimeve të Samitit të Hagës për rritjen e investimeve në mbrojtje.

Sipas ministrit, rritja e buxhetit të mbrojtjes do t’i japë Shqipërisë më shumë fleksibilitet për të përmbushur detyrimet dhe kërkesat e Aleancës.

Palët diskutuan gjithashtu për modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe rigjallërimin e industrisë vendase të mbrojtjes. Ministri shqiptar theksoi se ka zhvillime inkurajuese dhe interes në rritje nga partnerët ndërkombëtarë të industrisë së mbrojtjes.

Në takim u trajtuan edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, ndërsa Nufi nënvizoi rëndësinë e organizimit të Samitit historik të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.

Një tjetër temë e diskutuar ishte forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët, si pjesë e rritjes së sigurisë dhe qëndrueshmërisë kombëtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër