Londër, 01 qershor, Zhurnal.mk – Çmimet e naftës regjistruan sot një rritje me mbi 3%, pasi Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkëmbyen sulme, ndërsa Izraeli urdhëroi avancimin e trupave të tij në territorin libanez, në kuadër të operacioneve kundër Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Teherani, raportoi “Reuters”.
Nafta bruto “Brent” u rrit me 2,68 dollarë, ose 3%, duke arritur në 93,80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI regjistroi një rritje me 3,03 dollarë, ose 3,5%, duke kapur vlerën e 90,39 dollarë për fuçi.
Megjithatë, gjatë muajit maj, “Brent” dhe WTI shënuan një rënie, përkatësisht prej rreth 19% dhe 17%, duke regjistruar tkurrjen më të madhe mujore, në terma absolutë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia e COVID-19 goditi rëndë kërkesën globale për karburant.
Përshkallëzimi i luftimeve në Lindjen e Mesme, pas bisedimeve për paqe mes Izraelit dhe Libanit, të zhvilluara të premten në Uashington, ka zbehur shpresat për një zgjatje të afërt të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi të premten, se së shpejti do të marrë një vendim mbi një marrëveshje të propozuar, për zgjatjen e armëpushimit, të shpallur në fillim të prillit.
Izraeli konsiderohet faktor kyç në çdo marrëveshje të tillë, ndërsa Irani ka theksuar vazhdimisht se Hezbollahu dhe Libani duhet të jenë pjesë e procesit.
Sipas një zyrtari amerikan, Uashingtoni ka propozuar një plan për uljen graduale të tensioneve.
Analistët kanë shprehur shqetësime në rritje, për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.
“Edhe nëse arrihet një marrëveshje, ajo nuk do të sjellë menjëherë një rritje të madhe të furnizimit në treg”, tha analisti i “IG Group”, Tony Sycamore.
Sipas një gazetari të “Axios”, Irani ka vendosur mina shtesë në ngushticë, gjatë javës së kaluar, duke shtuar pasiguritë për qarkullimin karburantit në rajon.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei deklaroi sot se, vonesat në procesin diplomatik, për përfundimin e luftës lidhen me mungesën e besimit, qëndrimet kontradiktore të Uashingtonit dhe sulmet izraelite në Liban.
Ndërkohë, shqetësimet për furnizimin, dominuan ndikimin e të dhënave ekonomike nga Kina, të publikuara gjatë fundjavës, të cilat treguan “ngecje” të aktivitetit industrial dhe shtuan frikën për ngadalësimin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Një sondazh i kryer nga “Reuters” tregoi gjithashtu se, Arabia Saudite pritet të ulë për të dytin muaj radhazi çmimet zyrtare të shitjes së naftës për tregun aziatik në korrik.
Nga ana tjetër, banka “Goldman Sachs” paralajmëroi se kërkesa e dobët për naftë në Kinë dhe Evropë paraqet një rrezik të madh për parashikimet e saj për tremujorin e katërt, duke e projektuar çmimin e “Brent” në rreth 90 dollarë për fuçi dhe WTI në 83 dollarë.
Megjithatë, ndërprerjet e mundshme të furnizimit nga Lindja e Mesme mund të vazhdojnë të ushtrojnë presion për rritjen e çmimeve.
