Hoxha takon Ulutaş: KFOR, rol jetik për paqen dhe stabilitetin në Kosovë

Nga D. V.
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 qershor, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha vlerësoi sot rolin jetik të misionit të KFOR-it në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Özkan Ulutaş.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha shprehu mirënjohjen për kontributin e vendeve pjesëmarrëse në misionin e NATO-s në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet.

“Shqipëria vlerëson lart rolin jetik që KFOR-i vazhdon të luajë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë”, u shpreh Hoxha.

Kryediplomati shqiptar theksoi se KFOR-i ka luajtur rol vendimtar në përballimin e sfidave të sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe krijimin e kushteve për dialog, forcimin e institucioneve dhe paqen afatgjatë.

Hoxha nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në mbështetje të përpjekjeve të Aleancës në rajon dhe është krenare për kontributin e saj në KFOR me një kontingjent të konsiderueshëm.

“Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe afrimin gradual të saj me standardet dhe praktikat e Aleancës”, theksoi ai.

Sipas ministrit, siguria e Kosovës është e lidhur ngushtë me interesat kombëtare dhe rajonale të sigurisë së Shqipërisë, ndërsa stabiliteti në Kosovë kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Hoxha shtoi se, ndërsa prania e KFOR-it mbetet e domosdoshme, siguria afatgjatë e Kosovës do të varet gjithnjë e më shumë nga forcimi dhe profesionalizmi i institucioneve të saj të sigurisë.

Ai theksoi se mbështetja për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të sigurisë së Kosovës, në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, mbetet thelbësore për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme në rajon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër