Vitia: Nis zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor

Nga D. V.
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, ka njoftuar se nga 1 qershori 2026 ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke shënuar fillimin e një reforme të shumëpritur në sistemin shëndetësor të vendit

Vitia ka theksuar se sot ka nisur hapi i parë i zbatimit të ligjit me fillimin e procesit për themelimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, mekanizëm që do të shërbejë për financimin dhe funksionalizimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të sistemit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe zbatimit gradual të të drejtave dhe përfitimeve që parashihen me këtë ligj”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor synon mbulimin universal të popullatës, përmirësimin e financimit të sektorit të shëndetësisë dhe rritjen e qasjes së qytetarëve në shërbime shëndetësore cilësore. Ai gjithashtu parasheh funksionimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, i cili do të administrojë kontributet dhe paketën e përfitimeve për të siguruarit.

Vitia theksoi se procesi i zbatimit të ligjit do të zhvillohet në mënyrë graduale, ndërsa institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë me hapat e nevojshëm për operacionalizimin e plotë të sistemit të sigurimeve shëndetësore në Kosovë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër