Kiev, 03 qershor, Zhurnal.mk – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte mbërriti sot në Kiev, disa ditë pas një tjetër sulmi të madh dhe vdekjeprurës me raketa dhe dronë nga Rusia ndaj kryeqytetit ukrainas dhe pjesëve të tjera të vendit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, mbërriti sot në Kiev, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të aleancës, bëri të ditur zëdhënësja e tij.
Ambasadorët e NATO-s formojnë Këshillin e Atlantikut të Veriut, organin më të lartë vendimmarrës politik të aleancës, i cili zakonisht mblidhet të paktën një herë në javë në Bruksel.
Pamje të publikuara në mediet ukrainase treguan Rutte duke zbritur nga një tren në stacionin e Kievit.
Për arsye sigurie, zëdhënësja e shefit të NATO-s nuk dha detaje mbi itinerarin e saktë të vizitës.
Rutte ka vizituar disa herë Kievin, për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky dhe zyrtarët e tjerë ukrainas.
NATO ka vazhduar të mbështesë Ukrainën përmes programit “Lista e Kërkesave me Përparësi të Ukrainës” (PURL), një iniciativë që parashikon furnizimin me municione dhe armë të prodhuara në SHBA, të cilat ju shiten aleatëve evropianë dhe Kanadasë, për t’iu dorëzuar më pas Ukrainës.
