Luzi: 139 kërkesa të trajtuara nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil gjatë 2025-ës

Nga D. V.
539 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 03 qershor, Zhurnal.mk – Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Lefteri Luzi prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike raportin vjetor të veprimtarisë të institucionit për vitin 2025.

Gjatë raportimit, Luzi vlerësoi se viti 2025 ka shënuar konsolidim të metodologjisë së mbikëqyrjes së ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil.

“Komisioneri ka synuar që të rrisë nivelin e zbatimit të ligjit për nëpunësit civil, sidomos në drejtim të zbatimit të parimit të meritokracisë në rekrutime, respektimit të procedurave disiplinore, zbatimit të mendimeve gjyqësore dhe aspekte të tjera të administrimit të shërbimit civil”, tha Luzi.

Këtë vit, vijoi ajo, raportimi përkon me një situatë nismash për ndryshime ligjore nga ana e qeverisë që përfshinë nga njëra anë fushën e administrimit të shërbimit civil dhe nga ana tjetër riorganizimin e administratë vendore në aspektin territorial dhe atë të kompetencave.

Në këtë fazë që ndodhet procesi, Luzi theksoi se “Komisioneri vlerëson se duhet tregohet një vëmendje e posaçme në drejtim të harmonizimit të këtyre ligjeve specifike me qëllim që të krijohen përkufizime të qarta të nocioneve, kategorive, kompetencave dhe proceseve që aplikojnë gjatë administrimit të shërbimit civil në drejtim të standardizimit të tyre si brenda tipologjisë së institucioneve vendore ashtu edhe të gjithë sistemit të shërbimit civil”.

Sipas saj, Komisioneri është i gatshëm për të qenë pjesë apo për të ndihmuar në këtë proces.

Luzi solli në vëmendje se Komisioneri ka vijuar zbatimin e kompetencave të përcaktuara në ligjin për nëpunësin civil duke e shtrirë procesin e mbikëqyrjes në të gjithë tipologjitë e institucioneve ku punojnë nëpunësit civilë.

“Në prioritetet e veprimtarisë së tij janë përfshirë edhe detyrat e përcaktuara në rezolutën e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, të cilat janë në nivele të ndryshme zbatimi sipas rrethanave dhe kërkesave specifike që ato përmbajnë. Në raportin vjetor Komisioneri është kujdesur që ky raport të mos jetë thjesht një përmbledhje e disa shifrave administrative por të përmbajë një analizë konkrete mbi qëndrueshmërinë, integritetin dhe profesionalizmin e shërbimit civil në tërësi. Një nga veprimtaritë kryesore të komisionerit përgjatë vitit 2025 ka qenë trajtimi i informacioneve, kërkesave, sinjalizimeve, që kanë ardhur për shqyrtim në drejtim të institucionit”, nënvizoi Luzi.

Për këtë vit, shtoi Luzi, referuar të dhënave të administruara janë regjistruar në total 139 rastet e informacioneve dhe kërkesave.

“Rezulton se ka përfunduar procesi i inspektimit në 134 raste që përbëjnë 96.4% të rasteve të administruara. Ndërsa vetëm në pesë raste ose rreth 3.6% janë të mbartua, por në momentin e këtij raportimi edhe ato janë të ezauruara. Numri i informacioneve të ardhura pranë Komisionerit paraqitet pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me vitin paraardhës gjatë të cilit u regjistruan 145 kërkesa”, theksoi Luzi.

Ky tregues, tha ajo, dëshmon qëndrueshmëri në fluksin e adresimeve dhe një nivel të konsoliduar besimi nga ana e nëpunësve dhe institucioneve të cilët i drejtohen komisionerit për trajtimin e çështjeve që kërkojnë zgjidhje në kuadër të legjislacionit të shërbimit civil.

“Nga tipologjia e rasteve vihet re se marrëdhëniet individuale të punës të nëpunësve përbëjnë mbi 86% të çështjeve të trajtuara të cilat kanë shërbyer edhe si indicie për nisjen kryesisht të proceseve të verifikimit dhe inspektimit administrativ. Në zbatim të kompetencave të komisionerit dhe të kërkesave të rezolutës së Kuvendit, Komisioneri ka nisur kryesisht inspektimin për nëntë institucione të administratës publike me fokus zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil në disa institute të ligjit”, theksoi Luzi.

Komisionerja Luzi tha se “në 2025 janë përmbyllur me vendim të Komisionerit 6 procese inspektimi dhe 3 janë mbartur për 2026, pasi afati i përfundimit të tyre përkon në fillimin e vitit pasardhës të cilët aktualisht edhe ato kanë mbaruar”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër