VLEN përshëndet Panairin e Librit Shqip: Shkupi bëhet kryeqendra e kulturës dhe dijes shqiptare

Nga D. V.
600 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 qershor, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN ka përshëndetur organizimin e Panairit të Librit Shqip, duke e cilësuar atë si një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare, e cila për herë të parë do të sjellë në Sheshin Skënderbe në Shkup mbi 50 shtëpi botuese dhe mijëra tituj në gjuhën shqipe.

Në një reagim publik, VLEN vlerëson se ky aktivitet i rëndësishëm po realizohet nga Komuna e Çairit me mbështetjen dhe përkushtimin e bashkëkryetarit të koalicionit, Izet Mexhiti, i cili, sipas tyre, vazhdimisht ka mbështetur iniciativa që promovojnë kulturën, arsimin dhe identitetin shqiptar në vend.

“Libri, gjuha dhe kultura janë shtylla të identitetit tonë kombëtar dhe ura që lidhin brezat me dijen, kujtesën dhe vlerat tona. Prandaj, çdo nismë që promovon leximin dhe afirmon kulturën shqiptare meriton jo vetëm mbështetje institucionale, por edhe pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga koalicioni u bëhet thirrje të rinjve, nxënësve, studentëve, mësuesve, prindërve dhe të gjithë dashamirëve të librit që të vizitojnë Panairin e Librit Shqip, i cili do të mbahet nga 4 deri më 7 qershor në Sheshin Skënderbe në Shkup.

Sipas VLEN-it, kjo ngjarje paraqet një festë të dijes, kulturës dhe identitetit shqiptar, ndërsa theksohet se gjatë këtyre ditëve Shkupi dhe Çairi do të shndërrohen në qendrën kryesore të promovimit të librit shqip dhe vlerave kombëtare shqiptare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër