Izraeli dhe Libani bien dakord për rinovimin e armëpushimit pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja

Nga D. V.
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 04 qershor, Zhurnal.mk – Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të rinovojnë armëpushimin e brishtë mes tyre, pas bisedimeve të zhvilluara në Uashington, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas një deklarate të përbashkët të publikuar nga SHBA-ja, Libani dhe Izraeli.

Marrëveshja e kushtëzon armëpushimin me ndalimin e plotë të sulmeve nga milicia pro-iraniane, Hezbollah dhe tërheqjen e luftëtarëve të saj nga zonat në jug të lumit Litani, pranë kufirit me Izraelin.

Sipas deklaratës së publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e zonave pilot të sigurisë, ku kontrolli do t’i kalojë ekskluzivisht Forcave të Armatosura Libaneze, pa praninë e grupeve të armatosura jo-shtetërore.

Megjithatë, detajet për mënyrën e zbatimit të këtyre zonave nuk janë bërë ende të qarta.

“Ky proces do të mundësojë progresin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqen dhe sigurinë”, thuhet në deklaratë.

Konflikti përfshin Izraelin dhe Hezbollahun, lëvizjen shiite që vepron në mënyrë të pavarur nga shteti libanez dhe që nuk mori pjesë në bisedime.

Qeveria libaneze nuk konsiderohet palë në konflikt dhe ka kontroll të kufizuar mbi grupin.

Marrëveshja e re, vjen pas takimeve të nivelit të lartë mes zyrtarëve izraelitë dhe libanezë, të zhvilluara të martën dhe të mërkurën, në Uashington me ndërmjetësimin amerikan.

Ende nuk është bërë e ditur nëse armëpushimi i rinovuar ka një afat të përcaktuar, siç ka ndodhur me zgjatjet e mëparshme.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja në muajin prill, nuk arriti t’i ndalonte plotësisht armiqësitë, pasi të dyja palët akuzuan vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.

Deklarata thekson se e ardhmja e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Libanit duhet të përcaktohet nga vetë qeveritë e të dy vendeve, duke kundërshtuar përpjekjet e “çdo shteti ose aktori jo-shtetëror për të mbajtur peng të ardhmen e Libanit”, në një referencë të dukshme ndaj Iranit, mbështetësit kryesor të Hezbollahut.

Ndërkohë, gjatë negociatave me SHBA-në, për një marrëveshje kornizë që synon t’i japë fund luftës me Iranin, Teherani ka kërkuar gjithashtu përfundimin e konfliktit në Liban.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër