Ministria e Ekonomisë nënshkruan marrëveshje 1 milion euro me KRU “Bifurkacioni” për projektet në Ferizaj dhe Shtërpcë

Nga D. V.
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 05 qershor, Zhurnal.mk – Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje për financimin e projekteve kapitale me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Bifurkacioni”, në vlerë prej 1 milion euro, me qëllim të përmirësimit të furnizimit me ujë dhe modernizimit të infrastrukturës ujore në rajonin e Ferizajt dhe Shtërpcës.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, ministrja Artane Rizvanolli ka thënë se marrëveshja parasheh financimin e dy projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Shtërpcë.

“Marrëveshja parasheh financimin e dy projekteve të rëndësishme infrastrukturore: ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit me kapacitet 35 litra në sekondë dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në komunën e Shtërpcës, në vlerë prej 520 mijë euro”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas ministrisë, projekti i dytë përfshin ndërrimin e gypit ekzistues nga fabrika e përpunimit të ujit në Pleshinë deri në qytetin e Ferizajt, në vlerë prej 480 mijë euro.

“Ndërrimi i gypit ekzistues nga fabrika e përpunimit të ujit në Pleshinë deri në qytetin e Ferizajt”, në vlerë prej 480 mijë euro, është pjesë e marrëveshjes, thuhet më tej.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se investimet synojnë rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, reduktimin e humbjeve në rrjet dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit të ujësjellësit.

Sipas njoftimit, zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga Ministria e Ekonomisë përmes Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, ndërsa projektet do të realizohen nga KRU “Bifurkacioni” Sh.A., në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e transparencës dhe llogaridhënies.

Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e investimeve strategjike në sektorin e ujit, me fokus përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës publike në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër