Prishtinë, 7 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhje.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se vullneti i qytetarëve tashmë ndodhet brenda kutive të votimit dhe se ruajtja e tij është kusht i domosdoshëm për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor.
“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor”, ka shkruar Kurti.
Ai u është drejtuar komisionerëve dhe vëzhguesve zgjedhorë, duke theksuar përgjegjësinë e tyre në procesin e numërimit të votave.
“Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, ka theksuar ai.
Në fund, Kurti i ka falënderuar të gjithë të angazhuarit në procesin zgjedhor dhe u ka uruar punë të mbarë në numërimin e çdo vote.
Procesi i numërimit të votave ka nisur pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /Zhurnal.mk/
