Jim Parsons, i njohur për rolin e Sheldon Cooper në serialin “The Big Bang Theory”, tërhoqi vëmendjen në ceremoninë e “Tony Awards 2026” me performancën e tij nga muzikali i njohur i Broadway-t, “Titanique”.
Aktori 53-vjeçar interpreton personazhin e Ruth DeWitt Bukater, nënën autoritare të Rose në këtë parodi muzikore të frymëzuar nga filmi “Titanic”.
Për performancën në skenë, ai u shfaq me një kostum ngjyrë bordo të zbukuruar me detaje rozë, perla dhe grim teatral, duke hyrë plotësisht në rolin e personazhit, shkruan DailyMail.
Parsons dhe pjesa tjetër e kastit interpretuan këngët “Chances” dhe “My Heart Will Go On”, duke sjellë një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes.
Në skenë iu bashkuan edhe Marla Mindelle, Deborah Cox, Frankie Grande, Melissa Barrera, John Riddle dhe aktorë të tjerë të produksionit.
Pas performancës, Parsons ndau entuziazmin e tij në rrjetet sociale, ndërsa më herët kishte deklaruar se “Titanique” është një nga projektet më argëtuese ku ka punuar ndonjëherë.
Aktori iu bashkua kastit të shfaqjes në mars dhe do të vazhdojë të interpretojë në Teatrin St. James në New York deri në shtator.
“Është argëtimi më i madh që kam pasur ndonjëherë në skenë”, ka thënë Parsons, duke vlerësuar reagimin e publikut dhe suksesin e vazhdueshëm të shfaqjes.




