Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Shëndetësia në Maqedoninë e Veriut po ballafaqohet me probleme të mëdha. Fatkeqësisht, shumë pak ose aspak deri më tani mjekët kanë marrë përgjegjësi për gabimet e bëra. Së fundmi kan ëndodhur dy raste tragjike, ku një grua ka humbur fëmijën pak para lindjes dhe një tjetër grua ka mbetur e paralizuar pasi ka bërë lindje me prerje cezariale. Ministria pohon se janë kryer të gjitha kontrollet dhe së shopejti do të dalin me konkluzione. Por, nëse nuk ka ndëshkime dhe nuk ka kontrolle më të shpeshta, raste të tilla do të përsëriten dhe jetë njerëzish do të shuhen, shkruan “Zhurnal.mk”.
Inspektim i jashtëzakonshëm për pacienten që humbi foshnjën
Inspektimi i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor për rastin e pacientes Lj.Sh. nga Ohri, e cila humbi fetusin para përfundimit të shtatzënisë, ka përfunduar. Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski deklaroi se raporti përfshin spitalet e përgjithshme në Ohër dhe Strugë, si dhe Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Shkup, për periudhën nga maji deri në shtator. Ministria ka kërkuar që të kontrollohet puna e gjinekologut amë, si dhe trajtimi në institucionin privat shëndetësor ku është ekzaminuar pacientja.
Lidhur me rastin e pacientes S.M., ministria informoi se mbikëqyrja profesionale ka përfunduar, dhe rezultatet do të prezantohen në një konferencë për shtyp me mjekët që ishin të përfshirë në mbikëqyrjen profesionale. Pacientja S.M. nga Strumica mbeti e palëvizshme pasi lindi me prerje cezariane në spitalin në Shtip.
Sistemi shëndetësor ndër më të dobëtit në rajon
Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut përballet me sfida të mëdha dhe renditet ndër më të dobëtit në rajon sipas indekseve ndërkombëtare. Sipas Indeksit të Kujdesit Shëndetësor të Numbeo, vendi mbetet pas shteteve fqinje si Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi për nga cilësia e shërbimeve. Qytetarët shpesh raportojnë kohë të gjata pritjeje, infrastrukturë të vjetruar spitalore dhe mungesë të personelif të mjaftueshëm mjekësor.
Familja e 19-vjeçares Stanka Mihajlova, e cila mbeti e palëvizshme pas lindjes me prerje cezariane në spitalin e Shtipit, është gjithashtu duke pritur përgjigje dhe me të drejtë alarmojnë situatën se dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Një muaj pas formimit të një komisioni ekspertësh, ku përfshihej edhe një ekspert i huaj, ende nuk ka përgjigje se çfarë është përcaktuar në këtë rast.
Prandaj është e nevojshme që autoritetet shëndetësore të përgjigjen me një afat kohor specifik, me fakte mjekësore dhe me një shpjegim për çdo vendim të marrë ose që nuk do ta marrë. Megjithatë, ministria e shëndetësisë duhet ta dijë se pas çdo gabimi mjekësor fshihet një jetë njerëzore.
Asnjë mjek nuk mban përgjegjësi!
Ndjenja që mjekët bëjnë gabime dhe nuk mbajnë përgjegjësi është një shqetësim real dhe i përhapur në Maqedoninë e Veriut, i cili ushqehet nga mungesa e transparencës dhe burokratizimi i sistemit.
Edhe pse ligjet si Ligji për Kujdesin Shëndetësor dhe Ligji për të Drejtat e Pacientëve parashikojnë përgjegjësi civile dhe penale për neglizhencë mjekësore, proceset gjyqësore zgjasin me vite. Kjo krijon ndjenjën e mosndëshkimit dhe fatkeqësisht askush nuk mban përgjegjësi.
Sistemi ligjor në Maqedoninë e Veriut aplikon rregullat e përgjithshme të dëmshpërblimit civil, çka e bën shumë të ndërlikuar vërtetimin e saktë të fajit të mjekut në gjykatë.
Sipas anketave mjekësore, rreth 90% e klinikave i konsiderojnë gabimet mjekësore si problem serioz, por mungon një sistem mbështetës ku mjekët mund t’i raportojnë ato pa frikën e ndëshkimit të menjëhershëm, gjë që shpesh çon në fshehjen e gabimeve.
Rast më i freskët është ai i Klinikës së Onkologjisë në vitin 2023, ku u zbuluan keqpërdorime të rënda me terapi, kanë thyer masivisht besimin e qytetarëve dhe kanë përforcuar mendimin se institucionet nuk i ndjekin penalisht fajtorët sa duhet.
S’ka kontrolle të mjaftueshme
Kontrollet zyrtare gjerësisht janë të pamjaftueshme dhe shpesh joefektive për të parandaluar gabimet apo për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm llogaridhënieje. Edhe pse ekzistojnë mekanizma ligjorë, funksionimi i tyre në terren ka mangësi të mëdha strukturore. Ngjashëm është edhe me rastet e më sipërme, kur ministria pas kaq muajsh njofton se do bëjë hetime…
Organi kryesor mbikëqyrës, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISSH), rrallëherë kryen inspektime të thella proaktive, ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë zakonisht urdhëron “mbikëqyrje të jashtëzakonshme” vetëm pasi një rast tragjik bëhet publik në media siç ka ndodhur së fundmi me raste të vdekjeve të foshnjave apo grave shtatzëna.
Kur ndodh një dyshim për gabim mjekësor, Ministria formon komisione për mbikëqyrje profesionale të përbëra nga mjekë të tjerë. Kritikët dhe organizatat e pacientëve shpesh aludojnë për “solidaritet kolegial”, ku mjekët mbrojnë njëri-tjetrin, duke bërë që raportet përfundimtare të nxjerrin fajtor “sistemin” ose “përputhjen me protokollet”, duke shmangur fajin individual.
Edhe kur inspektimet konstatojnë parregullsi të rënda, masat e marra shpesh kufizohen në gjoba administrative, paralajmërime ose ndërrime të drejtorëve, ndërsa licencat e punës hiqen në raste jashtëzakonisht të rralla.
Gjithsesi, ka përjashtime të rëndësishme kur presioni publik është i madh, si për shembull, rasti i ish-drejtorit të spitalit të Strugës, i cili u dënua përfundimisht me burg pas një procesi të gjatë për heqje të organeve gjatë lindjes
Për më shumë se një dekadë, institucionet kanë operuar pa protokolle të përditësuara trajtimi. Kur nuk ka protokolle të qarta të përditësuara, bëhet ligjërisht shumë e vështirë për organet e kontrollit të vërtetojnë nëse një mjek ka devijuar apo jo nga praktika e saktë mjekësore. Prandaj, urgjentisht të shtohen kontrollet, të përditësohen protokollet dhe të kërkohet përgjegjësi për çdo gabim mjekësor, shkruan “Zhurnal.mk”.
