Ali Ahmeti: Bërvenica meriton më mirë, promovojmë Arkin Jahijin për kryetar komune

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 27 shtator Zhurnal.mk – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se gjatë një tubimi në Çellopek është promovuar kandidatura e Arkin Jahijit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim.

Në mesazhin e tij, Ahmeti ka theksuar se Bërvenica meriton udhëheqje më të mirë dhe se qytetarët e saj meritojnë që drejtimi t’i besohet një njeriu vendas që i njeh nga afër hallet dhe nevojat e tyre.

“Kjo nuk është çështje akrobacionesh matematikore apo pazareve politike. Është çështje e vullnetit të lirë të bërvenicasve. Ata vetë do të vendosin se kujt do t’ia besojnë drejtimin e komunës së tyre dhe unë besoj se kësaj radhe fjala e tyre do të jetë e qartë dhe e fuqishme,” u shpreh Ahmeti.

Gjithashtu, kreu i BDI-së vlerësoi se Arkin Jahiji i njeh mirë fshatrat, terrenin dhe mbi të gjitha njerëzit e kësaj ane, duke shprehur besimin se mbështetja qytetare do t’i mundësojë atij që këtë përkushtim ta shndërrojë në punë konkrete.

Në përmbyllje të njoftimit, u bë thirrje për vendimmarrje më 18 tetor, datë në të cilën qytetarët do të vulosin zgjedhjen e tyre për kryetarin e ri të komunës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër