Siljanovska-Davkova: E përshëndes non-paperin e Merz dhe Macron, por duhet të jemi të kujdesshëm derisa të shohim dokumentin zyrtar

Nga Xh M
976 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 qershor Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e ka përshëndetur iniciativën e paraqitur në formën e një non-paperi nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron për të ardhmen e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, por theksoi se vlerësimet përfundimtare mund të bëhen vetëm pasi të publikohet një dokument zyrtar dhe detyrues.

“Nëse flasim për hapin që është ndërmarrë, atëherë e përshëndes. Por kur të shohim një ‘paper’, një dokument zyrtar, atëherë mund të them saktësisht për çfarë bëhet fjalë. Non-paperi është një dokument pa titull, pa emër dhe pa nënshkrime, i cili përmban ide dhe propozime”, tha presidentja në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1.

Ajo vlerësoi se dokumente të tilla shpeshherë i paraprijnë vendimeve dhe dokumenteve zyrtare të Bashkimit Evropian dhe se iniciativa tregon se në Bruksel po rikthehet seriozisht diskutimi për zgjerimin.

Sipas saj, fakti që liderët e dy shteteve themeluese të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës, qëndrojnë pas kësaj ideje, është një sinjal i rëndësishëm se qasja ndaj Ballkanit Perëndimor po ndryshon.

Siljanovska-Davkova tha se për më shumë se një dekadë asnjë vend i rajonit nuk është bërë anëtar i BE-së, ndërsa shtoi se Mali i Zi ka gjasa të jetë vendi i ardhshëm që do t’i bashkohet unionit, duke dëshmuar se dyert e Bashkimit Evropian mbeten të hapura.

Ajo theksoi se procesi duhet të shihet fillimisht nga një perspektivë rajonale, duke argumentuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbrojnë interesat e përbashkëta rajonale dhe të tregojnë më shumë mirëkuptim mes vete.

“Për mua më e rëndësishmja është se ky proces mund të sjellë siguri dhe parashikueshmëri. Kjo është fjala kyçe që përdori edhe Ursula von der Leyen – siguri në procesin e integrimit”, deklaroi presidentja.

Megjithatë, ajo pranoi se për Maqedoninë e Veriut mbetet problem hapja reale e negociatave sipas klasterëve, pasi vendi ende përballet me pengesa politike që nuk kanë lidhje me kriteret e Kopenhagës.

Siljanovska-Davkova paralajmëroi se ekziston rreziku që vetoja dhe bllokadat bilaterale të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke përmendur si shembull rastin kur Kroacia bllokoi mbylljen e një kapitulli negociues të Malit të Zi për çështje që, sipas saj, nuk kanë asnjë lidhje me kriteret evropiane.

“Mund t’i mbyllni të gjitha klasterët dhe kapitujt, por përsëri të bllokoheni për arsye që nuk kanë të bëjnë me kriteret e Kopenhagës, por me impulse ballkanike”, tha ajo.

Presidentja shtoi se pret që në dokumentin përfundimtar të përfshihen mekanizma që do të parandalojnë bllokadat e tilla dhe do të mundësojnë një proces më të drejtë dhe më të parashikueshëm të zgjerimit.

Ajo nënvizoi se integrimi gradual mund të jetë një hap pozitiv, por se për secilin vend kandidat duhet të ekzistojë një afat kohor i qartë dhe një udhërrëfyes konkret, ngjashëm me atë që Mali i Zi ka pasur në rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër