BE planifikon zgjerimin e energjisë së rinovueshme në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme

Nga D V
530 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 09 qershor, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian synon të shfrytëzojë potencialin e madh të energjisë diellore dhe të erës në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, duke zgjeruar ndjeshëm prodhimin e energjisë së rinovueshme në këto rajone.

“Bashkimi Evropian planifikon të mobilizojë deri në 25 miliardë euro investime deri në vitin 2035, me qëllim zhvillimin e 15 gigavatëve kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme”, njoftoi sot Komisioni Evropian.

Sipas Komisionit, investimet pritet të krijojnë gjithashtu më shumë se 100 mijë vende pune në sektorët e energjisë së pastër.

Rrezatimi i lartë diellor, erërat e qëndrueshme dhe sipërfaqet e gjera, me dendësi të ulët popullsie, e bëjnë Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, veçanërisht të favorshme për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Megjithatë, shumë vende të Mesdheut vazhdojnë të mbështeten në lëndët djegëse fosile, duke mbetur të ekspozuara ndaj luhatjeve të çmimeve, tensioneve gjeopolitike dhe vështirësive në arritjen e objektivave klimatike.

“Në një kohë pasigurie gjeopolitike, rritjeje të kërkesës për energji dhe presionesh, gjithnjë e më të mëdha klimatike, shfrytëzimi i këtij potenciali është në interes të përbashkët si të BE-së, ashtu edhe të partnerëve tanë në Mesdheun jugor”, deklaroi komisionerja evropiane për Mesdheun, Dubravka Suica.

Komisioni theksoi se investimet në energjinë e gjelbër, në rajonin mesdhetar synojnë të forcojnë sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare, duke ndihmuar në uljen e çmimeve dhe luhatjeve të tyre edhe në Evropë.

“Kriza aktuale energjetike tregon se siguria energjetike, nuk mund të mbështetet vetëm në diversifikimin e importeve të lëndëve djegëse fosile”, tha komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jorgensen.

Sipas tij, kjo nismë do t’i shërbejë interesave të përbashkëta të Evropës dhe vendeve të rajonit, duke ulur ekspozimin ndaj goditjeve, të shkaktuara nga luhatjet e çmimeve të karburanteve fosile.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër