Kallas: Deklaratat e Lavrov tregojnë se Moska nuk është e interesuar për paqen

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos
Bruksel, 28 shtator, Zhurnal.mk – Deklaratat e bëra nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas takimit me homologun e tij gjerman Johann Wadephul tregojnë se Moska nuk është e interesuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, deklaroi sot diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel, Kallas tha se komentet e Lavrovit tregojnë se Rusia nuk është aspak e interesuar për paqen.

Sipas saj, kjo tashmë është shumë, shumë e qartë për të gjithë.

Wadephul dhe Lavrov u takuan të shtunën në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Pas takimit, Lavrov bëri disa komente kritike për bisedën me Wadephul.

Ai tha se takimi i kishte krijuar përshtypjen se mesazhi i nënkuptuar i ministrit gjerman ishte ”kam denjuar të vij te ju”.

Kallas argumentoi se, nëse Moska do të ishte seriozisht e interesuar për përfundimin e konfliktit, ministri rus do ta kishte trajtuar homologun gjerman në një mënyrë tjetër.

Nga ana e tij, Wadephul e përshkroi bisedën si intensive.

Ai tha se gjatë takimit kishte diskutuar luftën në Ukrainë si dhe dronin e ngarkuar me eksplozivë që u gjet në aeroportin e Lajpcigut në gusht.

Berlini zyrtar ka fajësuar Moskën për incidentin, ndërsa Rusia e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Ministria e Jashtme gjermane akuzoi gjithashtu Moskën se po e përdor takimin në Nju Jork për qëllime propagandistike.

Një zëdhënës tha se Gjermania ishte e vetëdijshme për vlerën propagandistike të një takimi ballë për ballë, të cilin pala ruse e kishte shfrytëzuar dhe vazhdonte ta shfrytëzonte.

Megjithatë, zëdhënësi gjerman mbrojti vendimin për zhvillimin e takimit, duke thënë se ishte e arsyeshme që në këtë fazë të zhvillohej një bisedë e drejtpërdrejtë, me qëllim që Gjermania të përcillte edhe një herë qartë qëndrimet e saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër