Protestë para Kuvendit për bixhozin, industria e lojërave të fatit në mbrojtje të sektorit

Nga Xh M
1,323 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 qershor Zhurnal.mk – Të punësuarit nëpër kompanitë e lojërave të fatit protestuan para Kuvendit. Shoqatat e tyre organizuan disa herë protestë kundër propozim-ligjit të bixhozit e basteve sportive. Thonë se nëse miratohet ligji i ri për lojërat e fatit do ta dëmtojë një sektor ekonomik me më shumë se 10 mijë të punësuar, i cili, sipas përfaqësuesve të “APIS dhe ASOM” është punëdhënësi më i madh privat në vend, nga e cila varen mbi 350 milionë euro të ardhura vjetore buxhetore.

“Një ligj i përgatitur në këtë mënyrë në afat të mesëm do të krijojë kaos në shoqëri që do të jetë i vështirë për t’u parandaluar. Prandaj, ne besojmë se është e nevojshme të përballemi me argumentet në godinën ligjvënëse dhe më e rëndësishmja, që publiku të ketë një ide të saktë se çfarë dëmi do të shkaktojë miratimi i këtij Projektligji”, tha Goran Stoimenov – përfaqësues i Shoqatës “Apis”.

Këto dy shoqata, paraqitën një kërkesë zyrtare në Kuvend për të organizuar një debat publik në lidhje me Projektligjin për lojërat e fatit. Në përputhje me nenin 129, paragrafi 2 i Rregullores së Punës, ata i dërguan kërkesë Presidentes, Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Komisionit parlamentar për financim dhe buxhet dhe koordinatorëve të të gjitha grupeve parlamentare.

“Për një kohë të gjatë, lojërat e fatit kanë qenë shënjestër e një fushate negative në të cilën hidhen shpifje të ndryshme ndaj tyre. Objektet legale nuk janë kërcënim për të rinjtë! Kërcënim për të rinjtë është populizmi, i cili duke mbyllur këtë sektor ekonomik do t’i bëjë të rinjtë një shënjestër të lehtë për kumarin e paligjshëm që do të organizohen nëpër bodrume, dhe shteti nuk do të ketë kontroll”, potencoi Goran Stoimenov – përfaqësues i Shoqatës “Apis”.

Përmes kësaj proteste ata kundërshtojnë propozim-ligjin e ri që parashikon distancë prej 500 metrash të kazinove, bastoreve dhe të gjitha formave të tjera të kumarit nga shkollat fillore dhe të mesme, objektet fetare. Nga ana tjetër, organizatat anti-bixhoz kanë pasur protesta të vazhdueshme që objektet e kumarit të largohen plotësisht nga qytetet dhe të vendosen në periferi sikurse në disa vende të tjera dhe sipas standardeve të jenë të integruara vetëm në objektet hotelierike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër