Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje takon u.d presidente të Kosovës, Albulena Haxhiu

Nga Xh M
1,027 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sofje, 10 qershor Zhurnal.mk – Në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL), që po mbahet në Sofje, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, zhvilloi një takim me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Gjatë takimit, të dyja bashkëbisedueset shprehën gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, në funksion të stabilitetit dhe të ardhmes evropiane të rajonit.

Siljanovska-Davkova e uroi Haxhiun për organizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke riafirmuar mbështetjen për aspiratat euroatlantike të vendit dhe gatishmërinë për ndarjen e përvojave dhe ekspertizës maqedonase në proceset integruese.

Presidentja theksoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të mbështesë politikën e dyerve të hapura të NATO-s, si dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata dhe iniciativa rajonale e ndërkombëtare.

Ajo shprehu kënaqësi për zbatimin e suksesshëm të sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare Bllacë dhe Jazhincë, duke vlerësuar se nevojitet shfrytëzim më i madh i fondeve evropiane për modernizimin e infrastrukturës kufitare dhe hapjen e pikave të reja kufitare.

Sa i përket çështjeve të sigurisë, Siljanovska-Davkova ritheksoi mbështetjen për dialogun Prishtinë–Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar se dialogu dhe pajtimi mbeten rruga e vetme e qëndrueshme drejt stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Në takim u vlerësua gjithashtu se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve po shënon progres të vazhdueshëm, ndërsa Kosova mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër