Kurti: Humbja e Arsim Zekollit ndihet edhe në jetën publike e shoqërore, do të na mungojnë tekstet e tij

Nga D. V.
863 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 11 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e diplomatit dhe intelektualit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Arsim Zekolli, duke e cilësuar humbjen e tij si një humbje që tejkalon rrethin familjar dhe prek të gjithë jetën publike e shoqërore.

Në një postim në Facebook, Kurti bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Vjenë kishte marrë lajmin për vdekjen e Zekollit, ndërsa një ditë më parë kishte vizituar familjen e tij në Bllacë të Suharekës për t’u shprehur ngushëllime.

“Isha në Vjenë kur mora lajmin e trishtë se Arsim Zekolli ka vdekur. Dje vizituam familjen e tij në Bllacë të Suharekës për ngushëllime dhe ende nuk më besohet që nuk do ta shohim e dëgjojmë më. I kam mbresat e pashlyeshme nga një njeri me dije të gjerë që mendonte e rimendonte rishtas dhe thellë teksa fliste”, ka shkruar Kurti.

Ai vlerësoi lart kontributin intelektual dhe publik të Zekollit, duke theksuar se largimi i tij lë një boshllëk të madh në shoqëri.

“Kur një punëtor i inteligjencës politike qytetare dhe i ndjeshmërisë së lartë kulturore si Arsim Zekolli largohet nga kjo botë, humbja nuk mbetet vetëm brenda familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve. Ajo ndihet edhe në jetën publike e shoqërore, aty ku fjala, mendimi dhe guximi lënë gjurmë”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, pikëllimi për ndarjen nga jeta të Zekollit do të mbetet gjatë, ndërsa vlerësoi veçanërisht mendimin kritik dhe pavarësinë e tij intelektuale.

“Do të na mungojnë tekstet e tij, sepse nuk zëvendësohen kollaj qëmtimet dhe përsiatjet e tij. Arsimi shkruante sepse mendonte dhe mendonte sepse të menduarit ishte tipari i tij kryesor. Ishte prej atyre njerëzve që mendimin nuk e përdorte për t’u rehatuar. Shqyrtimi i tij shqetësonte atë vetë dhe të tjerët. Kur shkruante, nuk e bënte për të ndjekur opinionin, por për ta sfiduar atë. Fjala e tij kishte peshën e karakterit të pavarur”, ka thënë Kurti.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Zekollit.

“Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjes Zekolli, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën, e lexuan dhe e vlerësuan. U prehtë në paqe!”, shtoi Kurti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër