Tiranë, 11 qershor, Zhurnal.mk – Deputeti i PD, Belind Këlliçi, i tërhoqi vëmendjen mazhorancës sot në Kuvend, teksa u shpreh se nuk sjellin asnjë projektligj në Kuvend duke dashur kështu që të bllokojnë opozitën që të flasë për protestën që po mbahet ditët e fundit në vend.
“Sot është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët, jo vetëm për PD. Një padrejtësi e madhe që ka rënë mbi këtë Kuvend dhe gjithë popullin shqiptar, jo vetëm mbi PD… vini këtu dhe nuk sillni asnjë projektligj, kjo u bë për t’i hequr mundësinë çdo deputeti që të mos flasë për atë që po ndodh në shesh para Kryeministrisë. Ta keni të sigurt që shumë shpejt slogani i ri do jetë: Rama në burg, Berisha në Uashington”, tha Këlliçi.
Me ironi i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili iu drejtua Këlliçit duke i thënë se po përpiqet ta paraqesë si sukses të protestës një zhvillim për të cilin nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet amerikane.
“Po na thuhet sot këtu që protesta e ka arritur suksesin e parë dhe është hequr non grata? Madje ndryshuat edhe sloganin. Thoni se protestuesit nuk do të thërrasin më ‘Berisha në burg’, por ‘Berisha në Uashington’”, deklaroi Balla.
“Kështu është kur nuk dëgjon nënkryetarin e grupit. Dëgjoje! Si ishte kjo? Domethënë, po na thuhet sot këtu që protesta e ka arritur suksesin e parë dhe është hequr non grata? Kështu thatë. Ja arritët edhe, madje, madje zotrote, zotrote, ndryshove, ndryshove dhe sloganin se ta kanë dhënë të drejtën ty protestuesit t’ua ndryshosh ti sloganin. Madje thua që protestuesit sonte nuk do thërrasin më Berisha në burg, por Berisha në Uashington.
Ej, ej, jeni bërë, jeni bërë si telefoni i prishur. Ndoshta audio, audio e telefonit të ndonjë kolegu apo kolege nuk ka qenë mirë.
Do të dëgjosh, dëgjo. Po, më fal, e vlerësoj unë se çfarë them. 7031-C-ja, mbi të cilën Sali Berisha është shpallur non grata, në vlerësimin tim është pak vështirë të hiqet. Megjithatë unë do ta komentoj këtë sapo, sapo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, o nga DASH, o nga ambasada amerikane, do të ketë një njoftim zyrtar, vëllezër. Unë nuk komentoj, unë nuk komentoj biseda telefonike, se nuk është korrekte, nuk është institucionale. Por fakti që ju vini këtu dhe e shisni si sukses të protestës një gjë të tillë, mendoj, jo se vetë e the, vetë e the se the protesta, protesta sonte do të thërrasë Berisha në Uashington. Kot lodheni, kot lodheni ta vidhni protestën. Jo Sali Lushën të çoni në protestë ju, jo të gjithë ju të shkoni në protestë.
Ne kemi një mandat për të qeverisur vendin, kemi një mandat për të përmbyllur marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ju kemi mundur, por do t’ju mundim më thellë në 2029”, tha Balla.
