PD kërkon interpelancë me Ramën për shpopullimin

Nga D. V.
628 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Partia Demokratike ka depozituar sërish në Kuvend një kërkesë për interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me krizën demografike, emigracionin masiv dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Deputetja e PD-së, Ledina Alolli, në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, tha se sot “vendi ynë ndodhet përballë me një krize të thellë demografike dhe sociale, një plage të heshtur që po godet qytetet dhe fshatrat, po dobëson ekonominë dhe po rrezikon të ardhmen e Shqipërisë si komb”.

“Çdo raport ndërkombëtar dhe çdo analizë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit e rendit Shqipërinë ndër vendet më të prekura nga emigracioni dhe plakja e popullsisë. Ndërkohë, Banka Botërore e vlerëson Shqipërinë me emigracionin neto më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Kjo situatë nuk mund të trajtohet thjesht si statistikë në raportet zyrtare. Këto nuk janë më vetëm numra. Këto janë kambana alarmi për të ardhmen e Shqipërisë. Ky është treguesi më dramatik i një shoqërie që po humbet ekuilibrat e saj jetikë.

“Çdo ditë largohen të rinj, studentë, profesionistë, mjekë, infermierë, inxhinierë, fermerë dhe familje të reja. Ata nuk po largohen nga dëshira për aventurë. Ata po largohen sepse nuk shohin më siguri, meritokraci dhe perspektivë në vendin e tyre”, tha ajo.

Sipas Allollit, emigracioni masiv lidhet me mungesën e sigurisë, meritokracisë dhe perspektivës për të rinjtë, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë reagimi ndaj fenomenit.

“Ata po largohen sepse ndihen të përjashtuar nga një sistem që nuk shpërblen dijen, punën dhe ndershmërinë. Kjo është edhe arsyeja pse prej më shumë se 12 ditësh rrugët e Tiranës janë mbushur me mijëra protestues. Ata protestojnë sepse e kanë kuptuar qartë paradoksin e këtij realiteti”, tha Alolli.

Deputetja e PD-së deklaroi se Kryeministri ka detyrimin të japë shpjegime për masat që po ndërmerr qeveria për përballimin e krizës demografike dhe frenimin e emigracionit.

“Prandaj grupi parlamentar i Partisë Demokratike e ka dorëzuar sërish sot kërkesën për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama. Ai ka detyrimin dhe përgjegjësinë të japë sqarime për krizën demografike, emigracionin masiv dhe largimin alarmant të të rinjve nga Shqipëria. Ka detyrimin t’u tregojë shqiptarëve cilat janë masat e marra”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër