Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e anëtares së KQZ-së lidhur me votimin me dokumente të skaduara

Nga D. V.
915 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Violeta Salihut, anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Me vendimin e PZAP-së, të datës 5 qershor 2026, ishte aprovuar si e bazuar ankesa e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), duke u anuluar vendimi i KQZ-së Nr. 01/1198/2026 i datës 3 qershor 2026, për lejimin e votimit në përfaqësitë diplomatike me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës, me afat të skaduar të vlefshmërisë.

“PZAP kishte vlerësuar se KQZ-ja nuk kishte autorizim ligjor që, përmes një vendimi administrativ, të lejonte votimin me dokumente të skaduara, pasi neni 90 i Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon shprehimisht paraqitjen e dokumenteve të vlefshme të identifikimit për ushtrimin e së drejtës së votës, si brenda vendit ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike.

Kundër këtij vendimi, anëtarja e KQZ-së, Violeta Salihu, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se vendimi i KQZ-së kishte për qëllim garantimin e ushtrimit efektiv të së drejtës kushtetuese të votës për qytetarët e regjistruar për votim jashtë vendit dhe se PZAP kishte interpretuar gabimisht dispozitat ligjore përkatëse”, thuhet në njoftim.

Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dispozitave ligjore në fuqi, Kolegji i Gjykatës Supreme, konstatoi se ankesa është e palejuar për shkak të mungesës së legjitimimit aktiv procedural të parashtrueses.

Gjykata theksoi se e drejta për paraqitjen e ankesës kundër vendimeve të PZAP-së është e rregulluar shprehimisht me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se një anëtar individual i KQZ-së nuk gëzon të drejtë të pavarur procedurale për të ushtruar mjete juridike në emër personal kundër vendimeve të PZAP-së, përderisa nuk është palë e drejtpërdrejtë në procedurë dhe nuk dëshmon cenimin e një interesi juridik personal e të drejtpërdrejtë.

Sipas vlerësimit të Kolegjit, KQZ-ja ushtron kompetencat e saj si organ kolegjial, ndërsa pjesëmarrja e anëtarëve në procesin e vendimmarrjes nuk krijon automatikisht cilësinë e palës në procedurën gjyqësore dhe as të drejtën për të vepruar individualisht në emër të institucionit.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se vendimi i PZAP-së nuk prodhon pasoja juridike të drejtpërdrejta ndaj statusit, të drejtave apo detyrimeve individuale të ankueses, por ka të bëjë me vlerësimin e ligjshmërisë së një vendimi institucional të KQZ-së.

Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës Supreme vendosi ta hedhë poshtë ankesën si të palejuar, pa u lëshuar në shqyrtimin meritor të pretendimeve lidhur me ligjshmërinë e vendimit të kontestuar të PZAP-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër