Shkup, 11 gusht, Zhurnal.mk – Opinioni publik gjatë ditës së djeshme u bë arenë e përplasjeve se a kanë kryesuar me mbledhje të qeverisë zv.kryeministrat dhe ministrat shqiptarë. BDI ka thënë se që nga qershori i vitit 2024, asnjëri prej tyre nuk ka kryesuar asnjë seancë të Qeverisë. VLEN ia ktheu me argumente se nuk është ashtu dhe se ish-zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, kishte kryesuar seancë të qeverisë, përkatësisht më 11 korrik të vitit 2024. Por, opinioni duhet të dijë se kur një zv.kryeministër mund të drejtojë një qeveri dhe çfarë vendime mund të merren në atë seacë, apo edhe cilat janë të drejtat që i ka kryeministri por që nuk i kanë zv.kryeministrat. Është me rëndësi të dihet se edhe kryeministri teknik, siç ishte Talat Xhaferi, për shkak të ligjit ka shumë kufizime dhe nuk ka asnjë përgjegjësi thelbësore, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kur udhëheq një seancë të qeverisë zv.kryeministri!
Sipas Ligjit dhe Rregullores së Punës së Qeverisë, zëvendëskryeministri është pozicion i lartë politik dhe ekzekutiv në Qeveri. Ky pozicion mbështet kryeministrin në punën e tij, koordinon punën e ministrive dhe menaxhon politika ose departamente të caktuara.
Zëvendëskryeministri i Parë, i cili ka një rol të madh në koordinim dhe zakonisht miratohet si pjesë e marrëveshjes së koalicionit midis partive që përbëjnë qeverinë. Ai mund të kryesojë një seancë Qeverie, por vetëm në raste specifike kur Kryeministri mungon ose nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij.
Kryeministri përcakton paraprakisht se cilët nga zëvendësit e tij do ta zëvendësojnë atë në mungesë të tij. Nëse Kryeministri mungon, detyrimi për të drejtuar seancën zakonisht bie mbi Zëvendëskryeministrin e Parë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Cilat të drejta i takojnë kryemninistrit dhe jo zëvendëskryeministrit!
Autorizimet e sakta kushtetuese dhe ligjore që zëvendëskryeministri nuk i ka, dhe i përkasin ekskluzivisht Kryeministrit rrjedhin nga fakti se Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e njeh Kryeministrin si bartës të mandatit dhe udhëheqës të degës ekzekutive.
Sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë, Zëvendëskryeministri ka mungesë të kompetencave për të përcaktuar mbijetesën e Qeverisë. Kjo do të thotë se nëse Kryeministri jep dorëheqjen, përballet me vdekje ose paaftësi të përhershme, e gjithë Qeveria bie automatikisht (Neni 93 i Kushtetutës).
Kryeministri ka të drejtë që t’i dërgojë Parlamentit propozim për përbërjen e Qeverisë dhe një propozim për shkarkimin ose emërimin e ministrave të rinj (ristrukturimi). Kjo do të thotë se edhe kur zëvendëson Kryeministrin në një seancë, zëvendëskryeministri nuk mund të shkarkojë në mënyrë të pavarur një ministër ose të propozojë një anëtar të ri të Qeverisë pa një vendim të shprehur dhe paraprak me shkrim të Kryeministrit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Cila është fuqia e zëvendëskryeministrit!
Fuqia e zëvendëskryeministrit nuk është thjesht formale-juridike në Kushtetutë, por është fuqi thelbësore politike. Ai vepron si menaxher kryesor që balancon interesat e partive në pushtet dhe drejton kursin e ministrive nën kontrollin e tij.
Edhe pse zëvendëskryeministri nuk ka fuqi kushtetuese të pavarur si kryeministri, fuqia e tij reale në sistemin politik është jashtëzakonisht e madhe dhe bazohet në ndikimin politik, koordinimin e resorteve dhe marrëveshjet e koalicionit.
Në Maqedoninë e Veriut, pozita e Zëvendëskryeministrit të Parë pothuajse gjithmonë i takon liderit ose një funksionari të lartë nga partneri i dytë më i madh i koalicionit qeverisës.
Fuqia e tij buron nga fakti se nëse partia e tij largohet nga Qeveria, ajo humb shumicën në Kuvend dhe qeveria bie. Prandaj, kryeministri rrallë merr vendime të mëdha pa pëlqimin e zëvendëskryeministrit.
Zëvendëskryeministrat zakonisht janë të ngarkuar me koordinimin e fushave strategjike siç janë integrimet evropiane, çështjet ekonomike, qeverisja e mirë ose sistemi politik. Ata kryesojnë komisionet qeveritare (trupa qeveritarë ku shqyrtohen ligjet përpara se të shkojnë në seancën kryesore). Nëse zëvendëskryeministri bllokon një propozim-ligj në komision, ai vështirë se do të arrijë të miratohet, shkruan “Zhurnal.mk”.
Përse nuk kishte kompetenca të plota kryeministri teknik!
Edhe kryeministri teknik, kur këtë post e kishte BDI-ja funksiononte me kompetenca gjysmake dhe shumë vendime nuk arritën të merreshin, ose shumë vendime të tij u rrënuan. Kjo për shkakun se ligji e parasheh që kryeministri teknik (ose kryeministri i qeverisë kalimtare/të “Përzhinës”) ka një fuqi politike të përkohshme, administrative dhe rreptësisht të kufizuar, me një qëllim të vetëm primar – organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe demokratike.
Detyra e tij kryesore është menaxhimi i punës së përditshme të institucioneve shtetërore, pagesën e rrogave, pensioneve, ndihmës sociale si dhe projekteve kapitale e tenderëve të nisur më parë.
Ndryshe nga kryeministri politik, kryeministri teknik nuk mund të propozojë ambasadorë të rinj, drejtorë të ndërmarrjeve publike apo anëtarë në bordet drejtuese nën kompetencën e Qeverisë.
Edhe pse për shkak të funksionit kryeministri teknik merr pjesë në takimet koordinuese të shërbimeve të sigurisë, roli i tij është kryesisht vëzhgues – ai nuk mund të japë propozime të reja apo të marrë vendime strategjike të sigurisë në mënyrë të vetme.
Kryeministri teknik nuk ka legjitimitet politik për të nisur reforma të mëdha afatgjata strategjike, për të propozuar ligje thelbësore të reja ose për të ndryshuar në mënyrë drastike politikat shtetërore.
Prandaj, “loja” se kush është më i fuqishëm e kush më i dobët nuk “pi ujë”. Sepse kompetencat e çdo ministri, zëvendëskryeministri dhe kryeministri i cakton kushtetuta, ligji për qeverinë dhe rregullorja e qeverisë. Të gjithë duhet të veprojnë brenda kësaj kornize, shkruan “Zhurnal.mk”.
