Editorial / Për çfarë Marrëveshje të re flet Arben Taravari?

Nga R.ZH
1,853 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i ASH-së Arben Taravari së fundmi ka hedhur idenë e një Marrëveshje të re, për të ardhmen më të mirë për shtetin, e sidomos kësaj radhe midis shqiptarëve. Kjo frazë duket shumë “ironike” dhe “skeptike” sepse për të kërkuar Marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve, duhet të kihen parasysh shumë faktorë gjeopolitikë, rajonal e ndërkombëtarë. Ndërsa nëse e ka qëllimin për Marrëveshje midis shqiptarëve për qeverinë e ardhshme, më së paku ka kredibilitet Taravari ta thotë këtë, duke pasur parasysh se ishte i pari që vrapoi drejt qeverisë dhe i pari që doli kur shqiptarët tentuan të bashkohen, shkruan “Zhurnal.mk”.

Taravari: Koha për Marrëveshje të Re!

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka komentuar 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e saj dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Taravari e cilëson Marrëveshjen e Ohrit si një nga marrëveshjet më të rëndësishme dhe më të diskutuara në historinë e vendit, duke theksuar se ajo për shqiptarët përfaqësonte një hap të madh drejt lirisë dhe barazisë.

Ai shtron pyetjen nëse marrëveshja është zbatuar tërësisht dhe nëse ajo është e mjaftueshme për realitetin e sotëm.
“Si është e mundur që edhe pse plot një çerek shekulli pas firmosjes së saj, shqiptarët janë ende të papërfillur e të nëpërkëmbur në shumë raste?”, shprehet Taravari.

Sipas tij, këto çështje mund të kërkojnë një qasje të re politike dhe një marrëveshje të re për të ardhmen e vendit, me theks të veçantë te raportet dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve.

“Këto janë pyetje që ndoshta kërkojnë një Marrëveshje të Re, për një të ardhme më të mirë për shtetin tonë, kësaj here sidomos midis shqiptarëve”, përfundon Taravari, përcjell Zhurnal.mk .

Cili faktor ndërkombëtar do ta përkrahte idenë e Taravarit për Marrëveshje të re?

Arben Taravari, ish-ministri i shëndetësisë, nuk e ka elaboruar mirë idenë e tij se çfarë nënkupton me Marrëveshej të re. Nëse mendon për një Marrëveshje sipas modelit të Ohrit, atëherë më mirë ai duhet të vendosë pikpyetje se çfarë ka bërë që kjo Marrëveshje të impelemtnohet. Në 25 vjetorin e MO-së u tha qartë se kjo Marrëveshje ka ende probleme që nuk janë mbyllur, e midis tyre është edhe statusi i ish-ushtarëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, zbatimi i plotë i gjuhës shqipe, decentralizimi fiskal dhe shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me barazinë qytetare të shtetit. Para se të flasë për një Marrëveshje të re, Taravari duhet të japë përgjigje se çfarë ka mbërë në këtë drejtim!

Pastaj, nëse flasim për Marrëveshje të tipit të Marrëveshjes së Ohrit, duhet të kihet parasysh se kjo marrëveshje u arrit pas një lufte dhe përplasje të armatpsur midis shqiptarëve dhe forcave policore e ushtarake maqedonase.

Në këto rrethana gjeopolitike, kur fokusi i botës është në situatën Ukrainë – Rusi, ose në Lindjen e Mesme midis Palestinës dhe Izraelit si dhe në konfliktin midis Iranit dhe SHBA-së, zgjidhje të tipit si Marrëveshja e Ohrit do të ishin aspak sfiduese dhe të rëndësishme për faktorin ndërkombëtar, “Zhurnal.mk”.

A është i vonshëm Taravari kur thiret për një Marrëveshje midis shqiptarëve!

Nëse ideja e Taravarit është që shqiptarët duhet të kenë një Marrëveshje interne para se të bëhen pjesë e koalicionit të ardhshëm me partitë maqedonase, atëherë këtu nuk ka aspak të drejtë dhe kredibilitet për këtë çështje. Është pikërisht Taravari që vrapoi i pari të bëhet ministër i shëndetësisë dhe pjesë e qeverisë së Mickoskit. Në fund, kur e pa se nuk po e merrte askush seriozisht në këtë qeverisje dhe pas përplasjes për “parkingun” e spitalit klinik në Shkup, doli nga qeveria dhe tani fton për Marrëveshje të re.

Fatkeqësisht, janë kohët e vështira kur tregojnë se kush sa vlen, janë kohët vendimtare kur dëshmojnë se kush çfarë qëllimi ka. Andaj, të flasim sot për Marrëveshje të Re, pa e elaboruar se çfarë dëshiron, të thotë dhe çfarë qëllimi ka, i bie sikur “ta hedhësh gurin e ta fshehësh dorën” ose “të them diçka, sa për të mos thënë asgjë”.

Koha është që shqiptarët të tregojnë zgjuarsi, guxim dhe vendosshmëri, të paktën për të implementuar atë që kanë arritur dhe të përmbajnë veten e mos të bien pre e lakmisë vetëm për pushtet!, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër