Shkup, 13 gusht, Zhurnal.mk – Për shkak të rënies së natalitetit dhe për shkak të shpërnguljes së familjeve jashtë shtetit, sivjet nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut do të ulen rreth 5 mijë nxënës më pakë në bankat e klasës së parë krahasuar me vitin e kaluar. Kjo nënkupton se do të mbyllen mbi 20 shkolla e mbi 250 klasa, ndërsa shumë mësues do të mbeten pa punë. Njerëzit largohen kryesisht për shkak të pagave të ulëta, papunësisë, korrupsionit të lartë, mungesës së sundimit të ligjit dhe cilësisë së dobët të shërbimeve publike, si arsimi dhe shëndetësia. Largimi nga vendlindja po na e vret të ardhmen e vendit, e shumë shpejt në shkollat tona do të shohim nxënës me prejardhje nga vendet aziatike e afrikane, shkruan “Zhurnal.mk”.
Për dhjetë vite kemi 27 mijë nxënës më pakë në klasë të parë
Në shtator, në bankat shkollore mund të ulen pothuajse 5.000 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, vlerëson se një nga arsyet është numri i zvogëluar i fëmijëve të lindur në vitin 2020, kurse ekspertët e demografisë paralajmërojnë se kjo rënie nuk mund të shpjegohet vetëm me natalitetin dhe se shpërngulja ka ndikim gjithnjë e më të madh në numrin e nxënësve.
Pasojat tashmë janë të dukshme në terren. Për shkak të numrit të ulët të nxënësve, Ministria paralajmëron mbylljen e rreth 20 shkollave rajonale. Ka shkolla ku mësimi zhvillohet me vetëm disa fëmijë.
Gjatë viteve 2021 dhe 2022 janë mbyllur rreth 20 shkolla për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa një proces i ngjashëm do të vazhdojë edhe këtë vit. Kryesisht bëhet fjalë për shkolla rajonale me më pak se pesë nxënës.
Të dhënat tregojnë se numri i nxënësve të klasës së parë bie pothuajse çdo vit. Në vitin shkollor 2018/2019 kishte më shumë se 22.100 nxënës të klasës së parë, ndërsa në vitin shkollor 2025/2026 numri i tyre ra në 17.921.
Gjatë dekadës së fundit, sipas analizave të Qendrës për Komunikime Qytetare, numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm është ulur për rreth 27.000.
Ndërkohë, edhe nataliteti vazhdon të bjerë. Nga 19.031 fëmijë të lindur gjallë në vitin 2020, numri ka rënë në 16.061 në vitin 2024, shkruan “Zhurnal.mk”.
Vetëm në vitin 2026 do të ketë mbi 10 mijë punëtorë të huaj
Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për një kuotë prej 10.000 leje për punë për shtetasit e huaj për vitin 2026, e cila hyri në fuqi më 16 janar. Nga këto 9.750 leje janë për punësim të rregullt, 200 për të huaj të dërguar, ndërsa 50 për angazhime sezonale. Në kuadër të punësimeve të rregullta 4.500 janë për punëtorë të rinj, ndërsa 5.250 janë për zgjatjen e lejeve tashmë të lëshuara.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës njoftojnë se përdorimi i kuotës dhe situata në tregun e punës në Мaqedoninë e Veriut do të monitorohet.
Kuota prej 10 mijë punëtorësh të huaj u caktua edhe për vitin 2025 , ndërsa në vitin 2023 gjysma e kuotës prej 5.000 për importin e fuqisë punëtore të huaj u plotësua në muajt e parë të vitit. Vetëm vitin e kaluar Agjencia e Punësimit ka lëshuar 8.509 mendime pozitive për lejet e punës, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar 6.128 leje qëndrimi të përkohshme për punëtorët e huaj.
Komuniteti i biznesit ka kohë që kërkon rritje të kuotave, duke paralajmëruar se mungesa e fuqisë punëtore është një problem serioz në ndërtim, industrinë përpunuese, hotelieri dhe tregti.
Punëtorët e huaj kryesisht vijnë nga Turqia, Pakistani, India, Bangladeshi, Nepali e Filipinet, të cilët janë të kënaqur me pagat dhe kushtet që i kanë në Maqedoninë e Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
Njerëzit po largohen për shkak të pagave të ulëta, papunësisë, korrupsionit të lartë, mungesës së sundimit të ligjit…
Numri i ulët i regjistrimeve hap një nga dilemat më të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut: a po mbeten shkollat bosh për shkak të rënies së natalitetit apo për shkak të shpërnguljes së familjeve të reja?
Një rënie e tillë është jashtëzakonisht serioze dhe se trendi negativ pritet të vazhdojë vitin e ardhshëm. 5,000 fëmijë më pak nuk janë thjesht pesë mijë vende bosh në kalendarët shkollorë. Kjo do të thotë më shumë se 200 klasa që nuk do të formohen. Në disa shkolla, shkurtimi do të jetë një klasë më pak, dhe në të tjera do të ngrejë pyetjen nëse shkolla mund të vazhdojë të funksionojë si më parë.
Pasojat nuk do të mbeten në arsimin fillor. Nxënësit e klasës së parë të sotëm janë nxënësit e shkollave të mesme të vitit 2035, studentët e ardhshëm, punëtorët, mësuesit, mjekët, inxhinierët, artizanët dhe prindërit.
Njerëzit largohen nga Maqedonia e Veriut kryesisht për shkak të pagave të ulëta, papunësisë, korrupsionit të lartë, mungesës së sundimit të ligjit dhe cilësisë së dobët të shërbimeve publike, si arsimi dhe shëndetësia. Kjo valë ikjeje prek më shumë të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar që kërkojnë një të ardhme më të sigurt në vendet e Bashkimit Evropian.
Kur të rinjtë largohen, Maqedonia e Veriut nuk humbet vetëm banorët aktualë, ajo humbet edhe familjet e tyre të ardhshme, fëmijët që do të lindin në një vend tjetër dhe brezat që nuk do të hyjnë kurrë në statistikat vendase.
Kjo me automatizëm nënkupton se për pak vite në të ardhmen, në shkollat tona do të shohim nxënës me prejardhje të nacionaliteve tjera. Të gjithë këta punëtorë të huaj, do të fillojnë të krijojnë familje të reja, do bëjnë bashkim familjar dhe do të rrisin fëmijët e tyre në vendin tonë. Ata do të kyçen në jetën shoqërore, arsimore, shëndetësore e gjithandej në shoqëri. Cikli i migrimit nuk ndalet. Përderisa ne mbushim Evropën me ballkanas, kombet tjera do ta plotësojnë zbrazëtirën tek ne me aziatikë e afrikanë, shkruan “Zhurnal.mk”.
