Mickoski fton kompanitë turke: RMV ofron partneritet dhe mundësi të reja

Nga D. V.
1,144 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili sot po qëndron për vizitë pune në Turqi dhe po merr pjesë në Forumin e Biznesit Maqedoni–Turqi në Stamboll, u bëri thirrje kompanive turke që të investojnë në vend dhe të bëhen pjesë e asaj që ai e quajti “historia e zhvillimit të Maqedonisë”.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të komunitetit të biznesit turk, Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë marrëdhënie tradicionalisht të mira dhe miqësore, të cilat përbëjnë një bazë të fortë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

“Maqedonia sot po pozicionohet si një destinacion i qëndrueshëm dhe konkurrues për biznes, me pozitë strategjike gjeografike, klimë të favorshme investimi, zona moderne industriale dhe qasje në tregjet rajonale dhe evropiane”, theksoi kryeministri.
Sipas tij, kompanitë turke, përmes investimeve në vend, do të kenë mundësinë të zgjerojnë praninë e tyre dhe të përfshihen në zinxhirët evropianë të furnizimit.

“Duke investuar në Maqedoni, kompanitë turke fitojnë mundësinë të bëhen pjesë e zinxhirëve evropianë të furnizimit dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregje më të gjera. Qëllimi ynë është të ndërtojmë partneritete afatgjata, të cilat do të krijojnë vende të reja pune, rritje më të madhe ekonomike dhe sukses të përbashkët. I ftoj investitorët turq të bëhen pjesë e historisë së zhvillimit të Maqedonisë, një shtet me vizion të qartë për të ardhmen, me dyer të hapura për investime të reja dhe me përkushtim të fortë ndaj zhvillimit ekonomik”, deklaroi kryeministri.

Forumi i Biznesit në Stamboll synon të lidhë institucionet dhe kompanitë e të dy vendeve, të hapë mundësi të reja bashkëpunimi dhe të promovojë potencialet investuese të Maqedonisë para komunitetit të biznesit turk. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër