Sardenja ndalon çadrat e plazhit për vizitorët 10-65 vjeç

Nga D. V.
788 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sardenja, 12 qershor, Zhurnal.mk – Autoritetet lokale në ishullin italian të Sardenjës kanë vendosur rregulla të rrepta, për një nga plazhet më të njohura të zonës, duke ndaluar përdorimin e çadrave të plazhit për të gjithë vizitorët e moshës nga 10 deri në 65 vjeç, raportoi BBc.

Masa prek plazhin piktoresk të Punta Molentis, në bregdetin juglindor të Sardenjës, i cili u dëmtua rëndë nga zjarret e mëdha, që përfshinë zonën verën e kaluar.

Flakët shkatërruan një pjesë të plazhit, dunat ranore dhe parkingun përreth.

Sipas autoriteteve të komunës së Villasimius, numri i vizitorëve do të kufizohet në 150 persona në të njëjtën kohë, me qëllim mbrojtjen e ekosistemit të brishtë dhe reduktimin e ndikimit njerëzor.

Kryebashkiaku i Villasimius, Gianluca Dessi ka nënshkruar gjithashtu një urdhër që parashikon pagesë të detyrueshme prej 10 eurosh, për çdo vizitor që mbërrin në plazh me rrugë tokësore, ndërsa ata që vijnë me varkë do të paguajnë 5 euro.

Rregullat e reja kufizojnë hyrjen e automjeteve, në vetëm 70 makina në ditë, deri më 31 tetor. Po ashtu, rezervimi paraprak, për të frekuentuar plazhin do të jetë i detyrueshëm.

Përdorimi i çadrave lejohet vetëm për familjet me fëmijë nën 10 vjeç dhe për personat mbi 65 vjeç.

Vendimi ka shkaktuar reagime të ndryshme. Disa banorë kanë kritikuar masën në rrjetet sociale, duke argumentuar se zgjidhja më efektive për rikuperimin e plazhit do të ishte mbyllja e tij për disa vite.

Në korrik të vitit 2025, pushuesit në Punta Molentis u detyruan të largoheshin me varka, për shkak të zjarreve që arritën deri pranë vijës bregdetare, ndërsa dhjetëra automjete u dogjën në parkingun e plazhit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër