Wadephul dënon sulmin rus ndaj manastirit historik në Kiev

Nga D V
825 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Luksemburg, 15 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul dënoi ashpër sot sulmet e fundit ruse ndaj Ukrainës, të cilat shkaktuan dëme në kompleksin manastiror “Kyiv Pechersk Lavra”, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Duke folur në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg, Wadephul i cilësoi bombardimet si “sulme të neveritshme” që kanë goditur objekte kulturore evropiane me vlerë të paçmueshme.

Sipas tij, sulmet tregojnë se Rusia nuk ka ende vullnet të sinqertë, për të hyrë në negociata, në një kohë kur po flitet për mundësinë e rifillimit të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë për një armëpushim.

Diplomati gjerman theksoi se Berlini do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe të mbajë në fuqi politikën e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të miratojnë sot masa të reja ndëshkuese kundër Moskës, për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

Sulmet ruse, gjatë natës shkaktuan disa viktima dhe dëme të konsiderueshme në Kiev, përfshirë një zjarr në kishën kryesore të kompleksit historik “Kyiv Pechersk Lavra”.

Autoritetet ukrainase thanë se sulmi shkaktoi dëme serioze në territorin e manastirit.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se kompleksi ishte goditur nga një raketë e sistemit të mbrojtjes ajrore “Patriot”, të përdorur nga Ukraina, për të zmbrapsur sulmin rus. Ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër