Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Debati për Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat ka shkaktuar përplasje të ashpra politike në Kuvend, ndërsa deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, iu përgjigj kërkesës së një deputeti që opozita shqiptare të dorëzojë mandatet parlamentare, përcjell Zhurnal.mk.
Shaqiri deklaroi se ai dhe kolegët e tij janë të gatshëm të heqin dorë nga mandatet, por vetëm nëse paraprakisht plotësohen disa kërkesa që, sipas tij, lidhen me interesat e shqiptarëve.
“Gjatë debatit të sotëm për Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, një deputet kërkoi që ne të dorëzojmë mandatet tona të deputetit. Përgjigjja jonë ishte e qartë: jemi të gatshëm t’i dorëzojmë mandatet tona nëse paraprakisht sillni ligj për faljen e të dënuarve në rastin ‘Alfa’ dhe në rastin e ‘Kumanovës’, si dhe nëse e tërhiqni këtë propozim-ligj, të cilin e konsiderojmë të dëmshëm për shqiptarët dhe për parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, deklaroi Shaqiri.
Ai theksoi se opozita shqiptare do të vazhdojë të kundërshtojë çdo iniciativë që, sipas saj, cenon të drejtat kolektive të shqiptarëve.
“Ne nuk do të heshtim përballë çdo nisme që cenon të drejtat kolektive të shqiptarëve. Mandatet tona janë marrë për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me përgjegjësi, pa u përkulur para presioneve politike”, tha deputeti i Aleancës për Shqiptarët.
Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat vazhdon të jetë në fokus të debatit politik, me qëndrime të kundërta mes pushtetit dhe opozitës lidhur me ndikimin e tij në garantimin e përfaqësimit të bashkësive etnike në institucionet shtetërore dhe publike.
