Ohër, 17 tetor Zhurnal.mk – Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kryen inspektime të paplanifikuara në dyqane mishi në Strugë dhe Ohër, gjatë të cilave u sekuestruan dhe u asgjësuan 1,000 kilogramë mish pule – një produkt që është i ndaluar për import dhe përdorim. Gjithashtu, u sekuestruan dhe u asgjësuan 55 kilogramë përgatitje mishi që përmbanin mish pule.
“Janë iniciuar masa sanksionuese për kundërvajtje ndaj dy dyqaneve të mishit, të cilat nuk e respektuan vendimin zyrtar që ndalon importin dhe përdorimin e stomakëve të pulës, të destinuar për konsum njerëzor, në prodhimin e përgatitjeve dhe produkteve të mishit”, thonë nga atje.
Sipas AUV-së, inspektimet e kryera në Ohër dhe Strugë janë pjesë e masave të shtuara të kontrollit, që synojnë parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në tregtimin e këtij lloji ushqimi, frenimin e praktikave të tilla të jashtëligjshme dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
“Për të garantuar një nivel të lartë mbrojtjeje për shëndetin publik dhe interesat e konsumatorëve, në korrik të vitit 2024, Agjencia nxori një vendim që ndalon importin dhe përdorimin e stomakëve të pulës, të destinuar për konsum njerëzor, në prodhimin e përgatitjeve dhe produkteve të mishit. Ky vendim u bazua në rreziqet e mundshme shëndetësore të identifikuara lidhur me konsumimin e pjesës muskulore të stomakëve të shpendëve, duke përfshirë kontaminimin e mundshëm nga patogjenë (baktere dhe viruse), praninë e toksinave dhe rreziqe të tjera të ngjashme”, njoftoi AUV.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e vendosi këtë ndalim duke u mbështetur në rezultatet e një analize rreziku mbi kërcënimet e mundshme shëndetësore për qytetarët nga konsumimi i këtij lloji të brendshmërive të shpendëve, si dhe në gjetjet e inspektimeve, të cilat zbuluan keqpërdorime dhe mashtrime ndaj konsumatorëve nga ana e disa kompanive për përpunimin e mishit.
