Tiranë, 16 qershor, Zhurnal.mk – SPAK njoftoi sot goditjen e një tjetër rrjeti të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ndërsa ka ekzekutuar urdhër-arreste dhe vendosi sekuestro mbi pasuri të shumta.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2020 ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, të dyshuar për veprat penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Pastrim i produkteve të veprës penale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”;
Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues,“Arrest në burg”, për 10 shtetas shqiptarë.
Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e 2 personave të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Shqipëri, ndërsa 7 persona nën hetim nuk ndodhen në Shqipëri. Për arrestimin e tyre SPAK është duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të tjera.
Në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë.
SPAK njoftoi se gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë.
Gjatë hetimeve janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë
Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.
Përmes këtyre investimeve dyshohet se është realizuar pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale, duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme dhe duke mundësuar integrimin e tyre në ekonominë dhe qarkullimin financiar të ligjshëm.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, mbi 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim.
Në pasuritë e vendosura nën sekuestro janë asete të kompanive tregtare, kuota, 266 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë.
