Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, e dënoi djegien e dy automjeteve diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, duke e cilësuar si incident të paprecedentë. Ajo e përjeton ngjarjen si sulm ndaj shtetit bullgar.
“Në një incident të paprecedentë, djegia e makinave diplomatike është sulm ndaj shtetit bullgar, unë personalisht e pranoj si sulm ndaj Bullgarisë”, deklaroi Jotova duke komentuar ngjarjen e ndodhur dje në Shkup.
Presidentja bullgare në prononcimin e saj për mediat u ndal edhe te seanca e ardhshme e Parlamentit Evropian, ku eurodeputetët sot dhe nesër pritet të debatojnë dhe të votojnë për raportin mbi përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, të përgatitur nga eurodeputeti Tomas Vajc, i cili në fillim të muajit u miratua nga Komiteti për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Komiteti për Punë të Jashtme i PE miratoi raportin e Vajcit për Maqedoninë – me vërejtje për vonesat në disa reforma.
“Sfidat e dy ditëve të ardhshme do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse përveç diskutimit do të ketë edhe votim për rezolutën. Kam sinjale alarmante nga eurodeputetët se në momentin e fundit do të tentohet të hiqet një nga tekstet që lidhet drejtpërdrejt me punën e komitetit të përbashkët, i cili ka funksionuar disa vite sipas nenit 12 të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Në këtë mënyrë, puna e tij dhe konkluzionet e tij do të bëhen të pakuptimta”, deklaroi presidentja e Bullgarisë. /Zhurnal.mk
