Evian, 17 qershor, Zhurnal.mk – Liderët e shtatë vendeve më të fuqishme të botës (G7) në samitin e mbajtur sot ne Evian të Francës, shprehën mbështetje për marrëveshjen e përkohshme të presidentit amerikan Donald Trump me Iranin, e cila synon hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe zgjatjen e armëpushimit të brishtë — pavarësisht mungesës së detajeve të qarta për zbatimin e saj, raportoi AP.
Në një deklaratë të publikuar në mbrëmje, udhëheqësit e cilësuan marrëveshjen si një “mundësi historike” për të parandaluar Iranin, nga ndërtimi i armëve bërthamore dhe për të adresuar aktivitetet e tij rajonale dhe balistike.
Ata u shprehën të gatshëm të kontribuojnë në zbatimin e saj, ndërsa teksti zyrtar i marrëveshjes nuk është bërë ende publik as nga Uashingtoni dhe as nga Teherani.
Samiti, i zhvilluar në Alpet franceze, u shoqërua me diskutime mbi ekonominë globale dhe inteligjencën artificiale, ndërsa në fokus mbetën edhe tensionet tregtare me Kinën dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Trump, i cili mbërriti i fundit në tryezë, u përfshi në një moment joformal duke deklaruar “unë jam shefi”, deklaratë që u prit me të qeshura nga liderët e tjerë dhe mikpritësi i samitit, presidenti francez Emmanuel Macron.
Megjithatë, marrëveshja me Iranin mbetet e diskutueshme, si në SHBA ashtu edhe ndërkombëtarisht, për shkak të mungesës së qartësisë mbi detajet dhe mekanizmat e zbatimit.
Sipas planit, një mision ndërkombëtar detar i udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe do të synojë garantimin e rifillimit të lundrimit tregtar në Ngushticën e Hormuzit dhe pastrimin e zonës nga minat detare.
Para konfliktit, rreth një e pesta e naftës dhe gazit botëror, kalonte përmes kësaj ngushtice strategjike, e cila është bllokuar që nga fillimi i luftës në shkurt.
Ndërkohë, mbeten të paqarta interpretimet mes SHBA-së dhe Iranit mbi përmbajtjen e marrëveshjes, ndërsa Izraeli dhe disa aleatë kanë shprehur shqetësime, për mënyrën e përfundimit të konfliktit.
Në një zhvillim paralel, G7-ta rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, në luftën kundër Rusisë, duke premtuar forcim të ndihmës ushtarake dhe shtim të sanksioneve ndaj Moskës, përfshirë sektorin e energjisë.
Liderët gjithashtu theksuan nevojën për luftë më të ashpër kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe rrjeteve të kontrabandës së migrantëve, të cilat i cilësuan si kërcënim serioz për sigurinë globale.
