Hoxha: Shqipëria dhe Spanja, partnere të ngushta dhe aleate në NATO

Nga D V
689 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë sot në aktivitetin kushtuar 40-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës.

Duke cituar poetin e madh spanjoll, Antonio Machado, i cili ka shkruar se “Se hace camino al andar” – rruga krijohet duke ecur”, Hoxha theksoi në një postim në rrjetin social X se, “gjatë katër dekadave të fundit, vendet tona e kanë ndërtuar këtë rrugë së bashku, hap pas hapi, përmes miqësisë, respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe, gjatë 35 viteve të fundit, përkushtimit të palëkundur ndaj vlerave tona të përbashkëta europiane”.

“Kur marrëdhëniet diplomatike u rivendosën, në vitin 1986, Shqipëria ishte ende e izoluar pas Perdes së Hekurt, ndërsa Spanja po konsolidonte tranzicionin e saj të jashtëzakonshëm demokratik dhe të ardhmen europiane”, theksoi Hoxha.

Hoxha shtoi se, pakkush mund ta kishte imagjinuar atëherë se sa thellësisht do të ndryshonin kontinenti ynë dhe dy vendet tona.

“Sot, Shqipëria dhe Spanja janë partnere të ngushta, aleate në NATO, të bashkuara nga një dialog politik i shkëlqyer, lidhje ekonomike, tregtare dhe investime në rritje, marrëdhënie të gjalla mes njerëzve dhe një vizion i përbashkët për një Europë paqësore, të begatë dhe të bashkuar”, nënvizoi Hoxha.

Hoxha theksoi se, “ndërsa Shqipëria ecën përpara në fazën më dinamike dhe më përcaktuese të procesit të saj të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ne jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë, mbështetjen dhe angazhimin e Spanjës gjatë gjithë këtij transformimi”.

“Shënimi i këtij përvjetori nuk është vetëm një mundësi për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar, por edhe për të parë drejt së ardhmes me besim, ambicie dhe vendosmëri për të vazhduar të ndërtojmë së bashku”, përfundoi Hoxha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër