Evia,17 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump hodhi poshtë kritikat se marrëveshja e arritur me Iranin, përmban lëshime të tepruara ndaj Teheranit, mes kundërshtimeve nga Izraeli dhe zërave kritikë brenda vetë Partisë Republikane, raportoi BBC.
Duke folur në samitin e G7-tës në Francë, Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të rikthejnë sulmet ushtarake, nëse Irani nuk respekton angazhimet e marra.
“Nëse nuk sillen siç duhet, do të rikthehemi menjëherë te bombardimet”, deklaroi Trump.
Sipas raportimeve, memorandumi i mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, parashikon heqjen e menjëhershme të sanksioneve, ndaj sektorit iranian të naftës dhe petrokimisë, një masë që pritet t’i sjellë ekonomisë së vendit miliarda dollarë të ardhura shtesë.
Në një zhvillim të lidhur me marrëveshjen, tre anije cisternë iraniane kanë kaluar për herë të parë, në dy muaj përmes Ngushticës së Hormuzit, pas lehtësimit të kufizimeve amerikane në zonë.
Ndërkohë, Irani ka akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritura të armëpushimit në Liban, duke paralajmëruar se veprime të tilla, mund të rrezikojnë zbatimin e marrëveshjes.
Mediet libaneze raportojnë gjithashtu për bombardime izraelite në jug të vendit.
Marrëveshja paraprake mes SHBA-së dhe Iranit u arrit të dielën, me ndërmjetësimin e Pakistanit, ndërsa teksti i plotë ende nuk është publikuar.
Dokumenti parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë të tjera, periudhë gjatë së cilës palët do të negociojnë kushtet e një marrëveshjeje përfundimtare.
Trump ka deklaruar se marrëveshja përfshin edhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Gjithashtu, këtë javë pritet të nisin bisedimet teknike mbi programin bërthamor iranian.
Megjithatë, marrëveshja aktuale, nuk konsiderohet ende një traktat paqeje, pasi çështjet më të ndjeshme, përfshirë programin bërthamor të Iranit dhe lehtësimin afatgjatë të sanksioneve, janë lënë për negociatat e ardhshme.
Një tjetër pikë e paqartë mbetet ndikimi i saj në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, ndërsa Teherani këmbëngul që kjo çështje duhet të përfshihet në kuadrin e marrëveshjes.
SHBA-ja dhe Irani pritet të nënshkruajnë zyrtarisht, dokumentin të premten në Burgenstock të Zvicrës.
