Prishtinë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Lëvizja Vetëvendosje ka falënderuar mërgatën për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit, duke theksuar se votat e diasporës kanë pasur rol të rëndësishëm në fitoren e saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vetëvendosje ka vlerësuar rezultatin e arritur në zgjedhje, duke e cilësuar atë si një fitore bindëse.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! shënoi edhe një fitore bindëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit 2026. Një pjesë e rëndësishme në këtë fitore është edhe mbështetja e madhe nga mërgata jonë”, thuhet në reagim.
Sipas Vetëvendosjes, nga gjithsej 104 mijë e 829 vota të vlefshme të numëruara nga diaspora, subjekti ka siguruar 78 mijë e 792 vota, apo mbi 75 për qind të totalit.
“Nga 104 mijë 829 vota të vlefshme gjithsej sa ishin, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka marrë 78 mijë e 792 apo mbi 75%”, thuhet në postim.
Vetëvendosje ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët dhe mërgimtarët që, sipas saj, kanë kontribuar në sukseset zgjedhore të partisë.
“Gjithnjë falënderues të gjithë qytetarëve të Republikës, mërgatës dhe secilit veç e veç që vazhdimisht bëjnë që fitoret e Lëvizjes sonë të jenë të jashtëzakonshme!”, thotë reagimi i Vetëvendosjes.
