TV24: Përfliten ndryshime në Qeveri, Azir Aliu mund të largohet nga Shëndetësia

Nga R.ZH
1,571 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 qershor, Zhurnal.mk – Në prag të rikonstruimit të paralajmëruar të kabinetit qeveritar, po qarkullojnë informacione jozyrtare për ndryshime të mundshme në disa resorë ministrorë të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.

Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga TV24, po shqyrtohet seriozisht mundësia e largimit të ministrit të Sportit, Borko Ristovski, si dhe të ministrit të Kulturës, Zoran Ljutkov.

Burimet e televizionit bëjnë të ditur se në tavolinë është edhe opsioni për shkëmbim të resorëve mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Në këtë kontekst, përflitet se Ministria e Shëndetësisë mund t’i kalojë VMRO-DPMNE-së, ndërsa ministri aktual i Shëndetësisë, Azir Aliu, mund të marrë një funksion tjetër në Qeveri.

Sipas të njëjtave burime, një nga opsionet që po përmendet është emërimi i Aliut në postin e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë.

TV24 raporton gjithashtu se nuk përjashtohet mundësia që nga posti i ministrit të Bujqësisë të largohet edhe Cvetan Tripunovski, me arsyetimin e shkaqeve personale.

Megjithatë, të gjitha këto mbeten në nivel spekulimesh dhe informacionesh jozyrtare. Deri më tani, Qeveria nuk ka konfirmuar asnjë nga këto pretendime dhe nuk është marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me një rikonstruim të mundshëm të kabinetit qeveritar.

Procesi i konsultimeve për rikonstruimin e Qeverisë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa pritet që pas përfundimit të bisedimeve ndërmjet partnerëve të koalicionit të bëhen publike vendimet zyrtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër