Shkup, 13 tetor, Zhurnal.mk – Kandidati i koalicionit AKI për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka zhvilluar një takim pune me strukturat e Forumit të Gruas, me fokus të veçantë rritjen e përfaqësimit dhe rolin e gruas në qeverisjen lokale.
Përmes një deklarate, Jahiji ka vlerësuar lart kontributin e gruas në shoqëri dhe ka premtuar përfshirje të drejtpërdrejtë të tyre në udhëheqjen e ardhshme komunale:
“Gratë janë shtylla e shoqërisë dhe e familjes. Pa forcën, përkushtimin dhe kontributin e tyre, nuk ka familje të fortë, as shoqëri të suksesshme.”
Ai theksoi se programi i tij për Bërvenicën parasheh hapësirë dhe rol aktiv për gratë në secilin proces:
“Gratë do të jenë pjesëmarrëse në vendimmarrje dhe pjesë e pandashme e proceseve. Ato janë zëri që ndërton të ardhmen tonë të përbashkët.”
Ky takim vjen si pjesë e platformës elektorale për fuqizimin e gruas dhe mobilizimin e të gjitha strukturave për garën e ardhshme zgjedhore në Komunën e Bërvenicës.
