Prishtinë, 22 qershor, Zhurnal.mk – Shtesat për fëmijë vazhdojnë të mbeten skema sociale me numrin më të madh të përfituesve në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Në statistikat e mirëqenies sociale për muajin maj 2026, bëhet e ditur se nga kjo skemë kanë përfituar gjithsej 405,935 persona, ndërsa vlera e mjeteve të shpërndara ka kaluar shifrën prej 14.7 milionë eurosh.
Në po të njëjtin raport, pensionet bazike të moshës rezultojnë të jenë kategoria me shpenzimet më të larta në sistemin e mbrojtjes sociale.
Sipas ASK-së, gjatë muajit maj, 166,985 pensionistë kanë përfituar nga kjo skemë, me një vlerë totale prej rreth 26.9 milionë eurosh.
Ndërkohë, pensionet kontributpaguese të moshës janë përfituar nga 48,001 persona, ndërsa shuma e ndarë për këtë kategori ka arritur në rreth 12 milionë euro.
Numër i lartë përfituesish është regjistruar edhe te pensionet e veteranëve, ku 39,417 persona kanë marrë mbështetje financiare në vlerë prej rreth 8 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të ASK-së, nga pensionet për personat me aftësi të kufizuara kanë përfituar 21,532 persona, me një shpenzim prej mbi 3.5 milionë euro.
Në të njëjtën periudhë, 2,375 persona kanë përfituar pensione familjare, ndërsa 3,594 persona pensione për paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Të dhënat e muajit maj tregojnë vazhdimin e mbështetjes së gjerë sociale në vend, me shtesat për fëmijë dhe pensionet e moshës që mbeten kategoritë kryesore të përfitimit nga skemat sociale.

