Haxhiu nderon Idriz Rrecajn: Sakrifica e tij për një Kosovë të lirë s’do të harrohet kurrë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe në nderim të Idriz Rrecajt, eshtrat e të cilit, pas një pritjeje të gjatë e të dhimbshme, janë kthyer në vendlindje për t’u rivarrosur pranë familjes së tij, në Skenderaj.

Përmes një postimi, Haxhiu ka kujtuar figurën dhe sakrificën e Idriz Rrecajt, i cili ishte pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, një grup atdhetarësh që angazhoheshin për vendin dhe lirinë e Kosovës.

Ajo ka theksuar se anëtarët e këtij grupi u shënjestruan nga forcat serbe, me qëllim të zhdukjes së tyre dhe të gjurmëve që lanë pas, por kujtimi për ta nuk u shua kurrë.

“Eshtrat e Idrizit u gjetën, dhe sot ai kthehet në tokën për të cilën dha jetën”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, sakrifica e Idriz Rrecajt dhe e veprimtarëve të tjerë të “Grupit të Intelektualëve” për një Kosovë të lirë, që përcakton vetë fatin e saj, nuk do të harrohet kurrë.

Haxhiu ka vlerësuar se gjetja dhe rivarrimi i tij përbëjnë një hap drejt drejtësisë dhe një ngushëllim për familjen, e cila priti për vite të tëra për të mësuar fatin e të dashurit të saj.

Megjithatë, ajo ka rikujtuar se dhimbja mbetet e madhe për familjet që ende presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur me dhunë, duke theksuar se kërkimi për ta duhet të vazhdojë deri në zbardhjen e së vërtetës.

“Lavdi jetës dhe veprës së heroit Idriz Rrecaj! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, ka shkruar Haxhiu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër